Lokale - eSIMy

Drejtori i stacionit të autobusëve në Podujevë, Remzi Zeneli ka demantuar lajmet se kanë marrë vendim për shtrenjtimin e parkimit për autobusët nga dy euro në tri siç kanë deklaruar shoferët e autobusëve në këtë komunë.

Në një deklaratë për Insajderin, Zeneli ka thënë se kanë pasur një mbledhje bashkë me bordin e drejtorëve dhe përfaqësuesit e autobusëve për të diskutuar për çmimin mirëpo nuk kanë arritur asnjë marrëveshje.

“Përfaqësuesit e shoqatës së transportuesve e kanë lëshuar mbledhjen që e kemi pasur në komunë për të diskutuar rreth çmimit prandaj edhe nuk është marrë asnjë vendim. Lajmet se është shtrenjtuar çmimi janë të pavërteta”, tha Zeneli.

Zeneli gjithashtu tha se sot ka pranuar një letër nga përfaqësuesit të transportuesve në të cilën thuhet se ata nuk do të paguajnë më shumë sesa 50 centë për të hyrë në stacion.