Gazeta Insajderi ka mësuar se i dyshuari për dhunimin e 11 vjeçares, Ekrem Rexhepi ka pasur edhe vepra të tjera penale.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar për Insajderin se ndaj tij figurojnë raste penale si “Vjedhja e rëndë”, “Vjedhja e pyllit” dhe “Dhuna në familje”, për të cilat është ngritur edhe aktakuzë.

“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se për personin me inicialet E.R., pas verifikimit në data bazë e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, figurojnë raste penale kundër tij në drejtim të veprave penale “Vjedhja e rëndë”, “Vjedhja e pyllit” dhe “Dhuna në familje”, të parapara sipas KPRK-së, për të cilat raste Prokurori i Shtetit ka ngritur aktakuza dhe i ka proceduar në gjykatë për trajtim të mëtejmë”, ka thënë zëdhënsia e prokurorisë, Laureta Ulaj.

Dy nga pesë të dyshuarit për dhunimin e vajzës 11-vjeçare në Prishtinë, vëllezërit Ekrem dhe G.Rexhepi, kanë përfunduar në paraburgim, nën dyshimin e bazuar se kryen aktin çnjerëzor të keqtrajtimit seksual të të miturës, ndërkohë janë arrestuar edhe dy të dyshuar të tjerë, ndërsa personi i pestë ndodhet në arrati.

Katër nga këta janë të mitur, ndërsa Ekrem Rexhepi është 26 vjeçar.

Kjo ngjarje e tmerrshme dyshohet se nisi në parkun e lagjes Arbëria e më pas në disa lokacione tjera.

Sipas Prokurorisë, “i pandehuri ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e të dëmtuarës “në atë mënyrë që të pandehurin fillimisht e kishte thirrur në telefon vëllai i tij i mitur. Pastaj i pandehuri ka shkuar me (veturë) “PickUp” te parku në lagjen “Arbëria” në Prishtinë dhe e ka marrë me veturë vëllain e tij dhe të dyshuarit Xh. S. dhe G. J. të cilët ndodhen në arrati, dhe të dëmtuarën. Pastaj rrugës tek varrezat kanë zbritur i mituri dhe Xh. S. ndërsa i pandehuri së bashku me G. J. dhe të dëmtuarën janë larguar me veturë, ashtu që pas pak E. R. ka ndaluar veturën në një vend të panjohur dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën. Edhe pse e ka ditë që e dëmtuara është nën 14-vjeç”.

Bazuar në dëshminë e nënës së saj, thuhet se vajza kishte dalë nga shtëpia, të shtunën në orët e mbrëmjes dhe nuk ka pasur asnjë informacion për fatin e saj. Ajo u trondit, kur pas mesnate, vajza u gjet dhe në gjendje të keqe emocionale rrëfeu se çfarë i kishte ndodhur.

I dyshuari për aktin që ka tronditur vendin del se ka qenë aktiv në rrjetet sociale të Internetit, më saktësisht në platformën TikTok.

Në këtë rrjet social, ai shihet derisa me PickUp-in me të cilin në dosjen e Prokurorisë pretendohet të ketë kryer aktin, xhiron shumë e shumë klipe për ndjekësit e tij.