Prishtinë- Ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, po akuzohet se ka përfituar kundërligjshëm mbi 1 milion euro, vetura luksoze e tri vikend-shtëpiza në Brezovicë.
Sipas aktit akuzues të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, akuzohet për katër vepra penale: keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, ushtrim të ndikimit dhe për armëmbajtje pa leje.
Sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, prokuroria e akuzon Nikoliqin se nga viti 2013 deri në dhjetor 2021, në Shtërpcë ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit pasuror, duke mundësuar dhënien e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në Zonën e tretë dhe të dytë.
Aktakuza e ngritur më 9 dhjetor 2022, e ngarkon ish-kryetarin Nikoliq se përmes personit përgjegjës të ndërmarrjes “Quko Co”, Alban Quka, ka përfituar 210 mijë euro për 21 leje ndërtimore të vikend-shtëpizave për investitorin “Stella Consulting”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Përveç 210 mijë eurove të përfituara, Nikoliq akuzohet se kishte përfituara të holla në vazhdimësi për dhënien e lejeve ndërtimore.
Sipas prokurorisë, ai akuzohet se ka dhënë 21 leje ndërtimore dhe për të gjitha ka përfituar shuma të majme parash dhe atë:
200 mijë euro përfitim për lejen ndërtimore te objektit hotelier “Stella Consulting“, me person përgjegjës, Gentian Sulo,
240 mijë euro nga personi përgjegjës i ndërmarrjes “Euro Sport“, Rijad Hasani,
100 mijë euro për ndërtimin e objektit hotelier “Rimida“,
100 mijë euro nga i pandehuri Blerim lmeri, për marrjen e 10 lejeve ndërtimore,
80 mijë euro nga investitori Liridon Domaneku, për marrjen e lejes për ndërtimin e objektit banesor me 14 apartamente,
30 mijë euro nga personi Husein Ajdini, për marrjen e lejes ndërtimore për objektin hotelier “Rock“,
40 mijë euro nga investitorët e lagjes “Sarova“,
40 mijë euro nga investitorët e lagjes “Kashtanjeva” për marrjen e lejes për gjashtë vikend-shtëpiza,
Një veturë e markës “Range Rover” në vlerë prej 78 mijë euro,
3 vikend-shtëpiza në vlerë rreth 300 mijë euro.
Në aktin akuzues thuhet se të gjitha këto leje ndërtimore ishin dhënë në kundërshtim me Ligjin për Ujërat Kosovës, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjin për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, Ligjit për Parkun Kombëtar “Sharri“, si dhe në kundërshtim me Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri“.
Në aktakuzë thuhet se me këto ndërtime në Parkun Kombëtar “Sharri”, është bërë degradimi i papërmirësueshëm i mjedisit dhe janë rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore në Parkun Kombëtar “Sharri“, zona e Brezovicës.
Nikoliq për këto veprime po akuzohet se ka kryer edhe veprën penale të “Marrjes së ryshfetit”, pasi nga personat e lartcekur ka përfituar shuma të mëdha parash me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete.
Tutje, përveç këtyre dy veprave penale, Nikoliq sipas aktit akuzues po akuzohet edhe se ka ushtruar ndikim tek persona kompetent, përkatësisht të hollat dhe dhuratat që i kishte pranuar nga personat e lartcekur i kishte marrë edhe me qëllim që të ushtrojë ndikim tek drejtori i kadastrit Sasa Milosavljevic dhe drejtori i urbanizimit Dimitrije Racicevic, këta dy të fundit tashmë të akuzuar lidhur me këtë çështje.
Po ashtu, Nikoliq po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Ferizaj edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, pasi siç thuhet në aktakuzë, më 21 dhjetor 2021 në shtëpinë e tij i ishte gjetur një armë e tipit “Cërvena Zastava” dhe dy karikatorë të kalibrit 9 mm dhe një armë shigjetë. Të gjitha këto, i janë sekuestruar nga Policia.
Ndryshe, Nikoliq gjendet në paraburgim që nga dhjetori i vitit 2021.
Bashkë me Nikoliqin akuzohen edhe 11 persona tjerë, për të cilët “Betimi për Drejtësi” në vazhdim do të sjellë detaje për veprat penale që këta 11 të pandehur akuzohen.
“Betimi për Drejtësi”, më 20 tetor 2022 ka raportuar ekskluzivisht për listën prej 75 pronave të sekuestruara në aksionin e fundit të prokurorit Rasim Maloku në Brezovicë, e cila përmban emra pronarësh të gjykatësve të të gjitha niveleve, politikanëve, biznesmenëve si dhe qytetarëve të tjerë.
Më pas, gjykatësi Shaqë Curri ka konfirmuar se gjykata ka aprovuar kërkesën e prokurorit, duke urdhëruar sekuestrimin e përkohshëm të 75 pronave në Brezovicë.
Më 12 nëntor 2022, “Betimi për Drejtësi” ka sjellë një hulumtimin ekskluziv për ndikimet në rastin e famshëm “Brezovica”, ku janë sekuestruar villa me pronarë politikanë, gjyqtarë e biznesmenë, ku prokurori i rastit, Rasim Maloku ka dhënë detaje rreth vazhdimit të hetimeve në këtë rast.
Pas hulumtimit të “Betimi për Drejtësi” lidhur me ndikimet në rastin “Brezovica”, ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se hetimet që po zhvillohen në këtë rast janë ndër më të rëndësishmet në luftën kundër korrupsionit që nga shpallja e pavarësisë dhe se keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe ushtrimit të ndikimit për të penguar proceset hetimore, duhet t’i japim fund sa më shpejtë.
Kurse, më 2 dhjetor 2022, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka raportuar se ka vazhduar aksioni i sekuestrimit të villave në Zonën e III-të të Brezovicës. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.






