Lokale - eSIMy

Deputetja e LDK’së, Doarsa Kica – Xhelili, ka konfirmuar se do të jetë sërish në garë për deputete të Kuvendit.

Madje, ajo e ka treguar edhe numrin rendor që do ta mbajë në listë.

Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, në të cilat ajo mbante numrin 3, Kica – Xhelili ka treguar se në zgjedhjet e 28 dhjetorit do e mbajë numrin 4 në listën e LDK’së.

Njoftimi i plotë:

Të dashurit e mi,

Konfirmoj rikandidimin tim edhe për këtë mandat. Ky vendim nuk ishte i lehtë, jo për shkak të punës, por për shkak të gjendjes sime shëndetësore dhe sfidave të shtatzënisë, të cilat e bëjnë fushatën më të vështirë se kurrë.

Në politikë kam mësuar se vendin ta jep besimi, jo zhurma. Pa zhurmë, ju më renditët njeriun e dytë më të votuar në LDK. Këtë herë kam zgjedhur të garoj me numrin KATËR (4), sepse besoj se vendin tim real ma përcaktoni ju: qetë, me votë, jo me kalkulime e zhurmë.

Gjatë muajve të vështirë të shëndetit tim, kam dëgjuar shumëçka: fjalë për mungesën time, interpretime të pasinqerta, madje edhe insinuata që e shndërronin sfidën time njerëzore në arsyetim politik.

Kam parë propagandë, linçime, faqe pa emër e pa fytyrë, dhe fatkeqësisht edhe ndonjë rrudhje krahësh nga njerëz që e dinin realitetin tim, por zgjodhën ta përdorin atë për të më portretizuar si të painteresuar.

Më kanë kërkuar të reagoj e të sqaroj. Unë kam zgjedhur të hesht, jo nga dobësia, por sepse refuzoj t’u jap hapësirë atyre që ushqehen me helm. Por sot, duke rikandiduar, ua kam borxh të vërtetën atyre që më kanë mbështetur pa kushte: mungesa ime s’ka qenë kurrë mungesë interesi, por betejë personale për shëndetin tim dhe të fëmijës tim.

Besoj se politika e vërtetë fillon aty ku mbaron egoja personale. Prandaj hyj në këtë garë me qetësi, me përulësi, dhe me bindjen se energjia jonë duhet të shkojë te armiku i përbashkët: sfidat që e mbajnë vendin peng, jo tek njëri–tjetri.

Në këtë betejë, edhe pse fizikisht më larg se herëve të tjera, ju jeni forca që më çon përpara.

Ju përqafoj!
E juaja,
Doarsa