Dy vëllezërit e dyshuar për sulmin brutal ndaj një të mituri në një internet-kafe në Viti janë dorëzuar dje në Polici, pas disa ditësh kërkimi nga organet e hetimit.
Sipas detajeve nga hetimet, Flori Sh. dhe vëllai i tij F. Sh. ishin shpallur në kërkim pasi më 01.11.2025, në internet-kafen “Lulja” në rrugën “Adem Jashari”, kishin goditur rëndë me shufër metalike dhe shkop druri të miturin A. R., duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe pjesë të tjera të trupit.
Më 06.11.2025, të dy vëllezërit janë paraqitur vullnetarisht në Stacionin Policor Viti, ku janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit: ndaj të miturit është caktuar ndalim 24-orësh, ndaj madhorit ndalim 48-orësh, për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.
Gjendja e viktimës
A. R. vazhdon trajtimin në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit. Gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut për jetë, por po i nënshtrohet ekzaminimeve të mëtejshme.
Rasti është në hetim.






