Lokale - eSIMy

Një rast i rëndë i zjarrvënies është zbuluar në Fushë Kosovë, ku dyshohet se një person ka djegur me qëllim veturën e D. R., rreth 42-vjeçar duke përdorur lëndë djegëse në pjesën e përparme të saj.

Sipas burimeve të besueshme, rasti ka ndodhur më 14 tetor 2024 rreth orës 02:20 në rrugën “Hajrullah Zymi”. Viktima ka deklaruar se persona të panjohur i kishin vënë flakën automjetit të tij, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Hetuesit kanë arritur të sigurojnë një dëshmitare kyçe, E. D.,rreth 19-vjeçare, e cila ka zbuluar identitetin e personit të dyshuar. Ajo ka deklaruar se i dyshuari për zjarrvënie është Leonit Kovani, i cili është i dashuri i motrës së saj.

Sipas dëshmisë, në natën kritike, ajo ndodhej në banesë me motrën dhe Leonitin, kur ky i fundit ishte larguar duke mbajtur një shishe me benzinë dhe një qese, për t’u kthyer vetëm pas pesë minutash.

Hetuesit kanë tërhequr pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat përputhen plotësisht me rrëfimin e dëshmitares, duke konfirmuar lëvizjet e të dyshuarit në vendin e ngjarjes.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar,është inicuar rasti “Zjarrvënie” dhe është urdhëruar intervistimi i të dyshuarit Leonit Kovani, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të motivit dhe rrethanave të ngjarjes.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.