Dogana e Kosovës sot ka realizuar një operacion kontrolli në pesë lokacione, kryesisht depo të bizneseve të ndryshme.
Kontrolli u realizua bazuar në autorizimet ligjore sipas Kodit Doganor dhe të Akcizave të Republikës së Kosovës, transmeton IndeksOnline.
Bëhet e ditur se gjatë kontrollit është gjetur një sasi e konsiderueshme e mbathjeve sportive me marka të mbrojtura dhe veshje tekstili.
Malli dyshohet se nuk posedon dokumentacion për origjinën dhe zhdoganimin e rregullt në Republikën e Kosovës.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i cili ka autorizuar ndërmarrjen e veprimeve të mëtejme procedurale.
Personat e dyshuar janë duke u intervistuar, ndërsa malli është duke u inventarizuar dhe konfiskuar për t’u transportuar në depot e Doganës së Kosovës.
Vlera e mallit dyshohet të jetë afro 800 mijë euro.






