Skenarë të errët për ekonominë e Kosovës, që për burim kanë efektet e pandemisë COVID-19, ka paraparë Kujtim Dobruna. Varësisht nga kohëzgjatja e krizës, sipas tij, tkurrja ekonomike mund të shkojë deri në 6 apo, sipas disa skenarëve më konservativë, edhe deri në 8 për qind për vitin 2020.
“Do të ketë rritje të papunësisë, me këtë edhe të varfërisë”, ka parashikuar ai. “Në momentin e rihapjes së kufijve kjo do të stimulojë një valë të re migrimi, për aq sa ai do të jetë i mundur”.
Dobruna është ekonomist dhe ndërmarrës, themelues dhe udhëheqës i ECIKS-së, organizatë që ndihmon zhvillimin ekonomik të Kosovës që nga viti 2003. Ai dhe kolegë të tij janë duke u angazhuar pro-bono në një dokument që synon të shpalosë rekomandime për një strategji dalëse nga kriza.
Në një intervistë për gazetën “Koha Ditore”, Dobruna gjerësisht ka folur për dëmet në ekonomi që janë shfaqur e do të thellohen nga COVID-19, dhe ka treguar se sa kriza politike e ka lënduar luftën me këtë pandemi, e njëkohësisht edhe i ka rritur pasojat.
Ka folur për masat e ndërmarra nga Qeveria dhe ka treguar nëse duhej bërë diçka më ndryshe. Ai edhe ka ofruar parashikime se kur mund të pritet rimëkëmbja. Ndërkaq ka identifikuar edhe një fushë, fokusi në të cilën, sipas Dobrunës, do të nënkuptonte ringjallje feniksiane.
KD: Z. Dobruna, çfarë flet për ju drama në të cilën ndodhen kosovarët – në njërën anë tek përballen me pandeminë, e në tjetrën me krizën politike?
Dobruna: Pandemia ka shpërfaqur deficitet e shoqërisë kosovare në të gjitha dimensionet e saj. Po e marr si shembull sektorin shëndetësor. Aty sot po dalin në pah efektet e një keqmenaxhimi shumëvjeçar institucional me përmasa kriminale. Si shumë lëmenj të tjerë, edhe sektori i shëndetësisë është parë si një pre, që pamëshirshëm është shfrytëzuar për pasurime individuale e grupore, në dëm të shëndetit të qytetarit. Mungesat e pajisjeve dhe furnizimeve esenciale, infrastruktura e shkatërruar dhe pamjaftueshmëria e mjekëve specialistë, janë disa nga faktet që e përforcojnë argumentimin tim. Shpeshherë profesioni i mjekut është degraduar edhe në diskursin publik. Në njërën anë, arrestimet spektakolare të mjekëve, të cilat thuajse çdoherë kanë rezultuar si të pabaza, kanë “barazuar” mjekun me kriminelin ordiner. Kështu është përçuar mesazhi se të gjithë qenkemi njësoj, si politikanët jokompetentë a të korruptuar, ashtu edhe vartësit e tyre institucionalë, përfshirë edhe mjekët. Në anën tjetër, përhapja, licencimi dhe akreditimi pa kriter i institucioneve të larta arsimore, ka bërë që titullin e mjekut ta fitojë kushdo që ka arritur ta përballojë për pesë vjet me radhë kuotën financiare universitare. Një numër jo i vogël i absolventëve të mjekësisë vazhdojnë të bredhin rrugëve, pa ndonjë perspektivë për punësim, përderisa, në anën tjetër, Kosova ka numër mjaft të ulët të mjekëve për kokë banori. Një mori tjetër e mjekëve të rinj tashmë kanë migruar dhe ndërtojnë karrierat e tyre nëpër klinikat e vendeve perëndimore. Të ardhurat e mjekut mezi ia plotësojnë minimumin ekzistencial, përderisa drejtori i një ndërmarrjeje publike në falimentim fiton dhjetëfishin e pagës mujore të mjekut. Dehumanizimi i mjekut ka shkuar deri në atë shkallë, saqë ai shpesh është edhe cak i sulmeve fizike në vend të punës. Kjo është tragjedia moderne e Kosovës.
Përgjegjësit për këtë situatë janë pa përjashtim të gjithë ata politikanë që kanë drejtuar Kosovën në këto vite të pasluftës. Ata deri tani nuk kanë pasur arsye të brengosen për këtë gjendje, sepse i kishin dyert e hapura nëpër klinikat më elitare botërore, ku gati çdoherë shkonin në trajtim me shpenzime të mbuluara nga taksapaguesi kosovar. Sot ironia e fatit qëndron në atë se, për shkak të mbylljes së kufijve, edhe jetët e tyre do të varen ta zëmë nga numri i limituar i respiratorëve, nga ai mjeku që ka blerë diplomën apo nga pajisjet e limituara mbrojtëse të spitaleve në gjendje dezolate. Sot jemi të gjithë të barabartë në këtë aspekt.
KD: Po kriza politike, sa mund ta ketë lënduar edhe luftën me COVID-19, e njëkohësisht edhe t’i ketë rritur pasojat?
Dobruna: Në secilin vend të botës, në rrethana të këtilla pandemike, konfliktet politike lihen mënjanë dhe fokusi i vetëm i takon menaxhimit të krizës. Këtë e kemi parë gjithandej nëpër botë, bile edhe në vendet me probleme shumë më serioze se Kosova. Kosovës sot i duhet një unitet i fuqishëm i gjithë spektrit politik, përfshirë institucionet shoqërore, ekonomike, kërkimore, shkencore e shoqërinë civile.
Pika gravituese e çdo veprimi të unifikuar duhet të jetë fuqizimi i legjitimitetit institucional. Këtu nuk po flas për legjitimitetin politik, i cili buron nga zgjedhjet. Por, po flas për legjitimitetin që buron nga performanca. Kur secili institucion, secili individ brenda këtyre institucioneve kryen me profesionalizëm e ndershmëri detyrën për të cilën është kompetent, ai me këtë ia jep qytetarit, ndërmarrësit, pensionistit, nxënësit, të punësuarit e të tjerë, ndjenjën e nevojshme të sigurisë, që mundëson qetësinë sociale, por edhe zbatimin e masave.
Reagimet e popullatës, qoftë blerjet në masë apo mosrespektimi i rregullave kufizuese, kanë ndodhur në radhë të parë pikërisht për arsyen se atyre nuk iu është dhënë kjo ndjenjë e sigurisë dhe unitetit politik përmes legjitimitetit. Dhe, në rrethana të tilla, është e natyrshme, edhe pse e pajustifikueshme, që qytetarët të provojnë të marrin fatin në duart e veta.
Rrjedhimisht, kriza politike i ka bërë një dëm shumë të madh e vështirë të riparueshëm jo vetëm luftës kundër pandemisë. Efekti i saj do të ndihet në të gjitha rrafshet vitale të shoqërisë.
KD: Cili është vlerësimi juaj për masat e ndërmarra nga Kosova, në përballjen me pandeminë?
Dobruna: Mendoj se janë bërë dy lëshime substanciale. E para, kufijtë do të duhej të mbylleshin më herët. E dyta, të gjitha masat relevante, që cenojnë liritë qytetare, do duhej të ndërmerreshin duke u bazuar në legjislacion të përshtatur apo të nxjerrë rishtas nga Kuvendi. Në retrospektivë, sigurisht që të gjithë do të jemi më të mençur dhe do dimë të ushtrojmë kritikë konstruktive. Por, në rrethanat në të cilat ndodhemi tani, pa dashur të marr në mbrojtje askënd, mendoj se masat e ndërmarra deri më tani kanë qenë të domosdoshme dhe kanë dhënë efektin e tyre pozitiv në frenimin e pandemisë. Por, ndikimi i tyre në ekonomi është negativ dhe substancial.
ECIKS, organizata që unë drejtoj, ka vërejtur menjëherë rrezikun që i kanoset ekonomisë nga ky kufizim i aktivitetit ekonomik dhe ka dalë menjëherë me një dokument pozicionues me rekomandime konkrete për masat që duhen ndërmarrë. Këto masa të propozuara janë përkrahur në mënyrë implicite nga të gjitha institucionet ekonomike të vendit dhe janë zbatuar deri në një masë të madhe, por jo plotësisht, nga Qeveria. E rëndësishme në këto rrethana është që këto masa duhet të ruajnë karakterin e tyre të aplikimit me kohë, të kenë për cak ndërmarrjet e prekura dhe të jenë të përkohshme.
Më duhet të shtoj këtu se jam i befasuar dhe i shqetësuar nga mungesa e një kontributi profesional e pse jo edhe substancial nga institucionet kërkimoro-shkencore, siç janë universitetet dhe institutet e ndryshme, përfshirë këtu edhe Akademinë e Shkencave dhe Bankën Qendrore. Këto institucione janë kompetente që veçanërisht në rrethana të këtilla sfiduese të shpalosin planet e tyre emergjente për menaxhimin e suksesshëm të krizave dhe ofrimin e rrugëdaljeve efiçiente e efikase me sa më pak pasoja. Ky është një shans i humbur për to, për të dëshmuar pjekurinë shoqërore e institucionale dhe profesionalizmin, për të cilin kemi aq shumë nevojë.
KD: Meqë Kosova ende nuk e ka të qartë nëse e ka mbërritur ose jo pikun e të prekurve me SARS-CoV-2, mendoni se duhet bërë diçka më ndryshe, në mënyrë që dëmet të jenë më të vogla?
Dobruna: Mendoj se masat e ashpërsuara së fundi, që kanë kufizuar drastikisht lirinë e lëvizjes dhe që thuajse kanë ndaluar ciklin ekonomik, paraqesin hapin e fundit dhe mjetin më serioz që ka mundur të aplikohej për të frenuar pandeminë. Që dëmet të jenë më të vogla, këto masa duhet të kufizohen në aspektin e kohëzgjatjes dhe duhet bërë përpjekje maksimale që kthimi në normalitet të fillojë sa më parë. Për këtë qëllim duhet një planifikim i detajuar dhe i menduar mirë, në mënyrë që të mos kemi ndonjë shpërthim të ri të pandemisë. Në të njëjtën kohë, duhet pasur parasysh që shëndeti i ekonomisë është jetik për Kosovën post-covid. Unë me kolegët e mi jemi duke vazhduar angazhimin tonë pro-bono dhe gjatë ditëve në vijim do të dalim me një dokument të ri, që synon të shpalosë rekomandime për institucionet ekonomike të vendit për një strategji dalëse nga kjo situatë.
KD: Sa është dëmtuar ekonomia e Kosovës nga pasojat e pandemisë, sa këto dëme mund të thellohen, dhe të çfarë natyre do të jenë? A ka një parashikim në shifra lidhur me këto dëme?
Dobruna: Edhe pse është ende herët të bëhen matje reale, sot është evidente se dëmi për ekonominë e Kosovës do të jetë shumëdimensional dhe do të kalojë shumëfish dëmin e krizës financiare botërore të vitit 2008. Një dëm serioz do ta pësojnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të Kosovës, që janë shtylla e ekonomisë së vendit. Ato edhe ashtu, edhe para krizës, kanë pasur probleme serioze me qasje në treg dhe në financa. Mbyllja totale e tregu për shumicën prej tyre do të thotë gjenerim i humbjeve në baza ditore, që mund të shpien në falimentimin e tyre total. Këtu na del në pah edhe një rrezik tjetër ligjor. Shumica e këtyre ndërmarrjeve kanë formën juridike të biznesit individual, ku pronari, për dallim nga pronarët e shoqërive tregtare, është përgjegjës për borxhet e kompanisë edhe me pasurinë private. Rrjedhimisht, jo vetëm se shumë ndërmarrës mund ta humbasin biznesit e tyre, por falimentimi eventual do t’ua cenojë atyre edhe pronën private.
Përpos kësaj, dërgesat e diasporës pritet të shënojnë rënie dhe mosardhja e tyre për pushime verore, që duket shumë reale të ndodhë, do ta lërë ekonominë konsumuese të Kosovës pa ato 1.2 miliardë euro shtesë, të cilat diaspora i shpenzon çdo vit gjatë qëndrimit në vend. Këto, në shumë, përbëjnë afërsisht mbi 30 për qind të bruto produktit vendor dhe shpalosin njërën ndër deficitet kryesore ekonomike: paaftësinë kryeneçe kosovare për ta ndryshuar modelin e zhvillimit ekonomik nga varësia prej dërgesave të diasporës, drejt zhvillimit të një sektori të qëndrueshëm privat. Edhe investimet e huaja direkte do të pësojnë rënie, të cilat viteve të fundit edhe ashtu kanë qenë fare të ulëta dhe jocilësore. Rrjedhimisht, të hyrat buxhetore do të bien, që do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në shpenzimet publike. Edhe pse është herët të jepet një vlerësim i saktë, skenarët e ndryshëm tregojnë se varësisht nga kohëzgjatja e krizës tkurrja ekonomike mund të shkojë deri në 6 apo, sipas disa skenarëve më konservativë, edhe deri në 8 për qind për vitin 2020. Do të ketë rritje të papunësisë, me këtë edhe të varfërisë. Në momentin e rihapjes së kufijve, kjo do të stimulojë një valë të re migrimi, për aq sa ai do të jetë i mundur. Kjo do ta lërë Kosovën edhe pa një pjesë tjetër të popullatës së saj më vitale.
KD: Sa kohë do të lëngojë ekonomia e Kosovës nga pasojat e COVID-19?
Dobruna: Ekzistojnë disa vlerësime preliminare, të cilat sigurisht se do të revidohen dhe përshtaten me kohë në njërin apo tjetrin drejtim. Sidoqoftë, emëruesi i tyre i përbashkët është se nga momenti i fitores mbi virusin, qoftë përmes zbulimit të vaksinës apo një imunizimi masiv, do të duhen të paktën edhe 18 muaj kohë që ekonomia të marrë veten.
KD: Cilat duhet të jenë masat që duhen ndërmarrë institucionet, për t’i adresuar pasojat ekonomike? A ka ndonjë përvojë ndërkombëtare që do të mund të adoptohej?
Dobruna: Për të ndërmarrë masa efektive së pari duhet të rikthehet besimi në institucionet e vendit, të forcohet legjitimiteti i tyre përmes performancës së mirë dhe angazhimit të ekspertëve të vërtetë, që në vete kanë edhe një dozë të patriotizmit të shëndoshë. Pastaj, duhet të bëhet një vlerësim përfundimtar e profesional i dëmeve që i janë shkaktuar Kosovës. Krahas kësaj duhet identifikuar sektorët më vitalë të ekonomisë, të cilët kanë potencial të ndihmojnë rimëkëmbjen e shpejtë të vendit. Nga ajo që dimë deri më tani, sektorët primarë, si bujqësia dhe minierat, nuk do të ndikohen drastikisht as nga pandemia e as nga revolucioni digjital. Një pjesë e energjive duhet prandaj të përqendrohet këtu. Pjesa e ekonomisë që do të ndikohet shumë është ajo e shërbimeve. Kjo, për bindjen time, paraqet një shans të mirë për Kosovën për shkak të faktorëve ekzistues zhvillimorë, siç janë popullata e re dhe zhvillimi i hovshëm i sektorit të teknologjisë informative gjatë viteve të fundit. Kosova mund ta përjetojë një ringjallje feniksiane po qe se orienton energjinë e saj drejt digjitalizimit. Që kjo të ndodhë, duhen udhëheqës politikë që kuptojnë dhe përqafojnë këta trendë.
KD: Z. Dobruna, po rimëkëmbja kur prisni të ndodhë?
Dobruna: Rimëkëmbja do të jetë një proces shumë më afatgjatë dhe më i mundimshëm sesa menaxhimi i menjëhershëm i pasojave të pandemisë. Rimëkëmbja nënkupton ndërtimin e një strategjie të qartë zhvillimore kombëtare që reformon politikat ekonomike dhe e cila duhet të përfshijë shfrytëzimin e burimeve njerëzore në atdhe e diasporë, përdorimin e mençur dhe efikas të resurseve natyrore dhe zhbllokimin e potencialeve të shumëfishta për sektorin privat. Një strategji e tillë duhet të përcillet me mekanizma mbështetës që lehtësojnë qasjen në financa, dije dhe tregje, sepse pa këto të dyja edhe plani më i mirë është i pavlefshëm.