Një person është vrarë mëngjesin e sotëm në fshatin Batllavë të Podujevës, raporton Llapi.info.
Policia ka arritur ta arrestojë një person me inicialet B.B, 47-vjeçar si dhe është konfiskuar një armë e zjarrit që dyshohet se është përdorur në rast. Mirëpo, ngjarja që tronditi sot Podujevën nisi dje.
Në fshatin Gërdoc, i dyshuari dje ka shtënë me armë në drejtim të shtëpisë së viktimës.
“Podujevë, 17.10.2021 – 13:40. Viktima mashkull kosovar ka raportuar se pas një mosmarrëveshje i dyshuari mashkull kosovar, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të shtëpisë së tij. Në e vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një gëzhojë si provë materiale. Nuk raportohet për të lënduar. I dyshuari gjendet në arrati, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin 24-orësh të PK-së.
I dyshuari sot fillimisht ka goditur me veturë viktimën që kishte qenë në një biçikletë, e më pas ka shtënë me armë duke lënë të vrarë një 41- vjeçar. Viktima dhe dorasi janë të afërm. Arsyet që çuan në vrasje janë banale.
Prokuroria ka njoftuar se të dyshuarit i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.
“Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes. Ekipi mjekësor ka konstatuar se një person ka vdekur nga plagët e shkaktuara nga arma e zjarrit. Me aktvendim të prokurorit i dyshuari është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”. Prokuroria në koordinim me policinë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimin të rrethanave të këtij rast”, ka njoftuar Prokuroria./Llapi.info






