Djali i kryetari të komunës së Podujevës, Agim Veliut, Naseri së bashku me një familjar të Isa Mustafës, Fatos Azemin kanë tentuar të futën me dhunë në mbledhjen e nëndegës së tretë të LDK-së në lagjen “Mati 1” në Prishtinë.
Në video të siguruara nga Gazeta Online Insajderi, shihen disa person të cilët tentojnë të futen me dhunë në mbledhjen e mbajtur të mërkurën.
Siç mësohet, në përplasje janë përfshi përkrahësit e ish-ministrit Arban Abrashi dhe kryetarit të Degës III, Hazir Borovcit, pasi që të dytë pretendojnë pozitën e parë të Degës së III të LDK-së, e njohur si Dega e Ibrahim Rugovës.
Djali i Agim Veliut, dhe kushëriri i Isa Mustafës, besohet se kishin qenë mbështetës të Arban Abrashit.
Përmes telefonit, Agim Veliu që mban postin e nënkryetarit të LDK-së ka mohuar kategorikisht se djali i tij është i përfshirë në këtë incident. Ai insiston se Naseri nuk ka qenë fare prezent.
“Jo nuk është përfshirë në asnjë incident për shkak se djali im nuk ka qenë fare në atë mbledhje dhe nuk është anëtar i asaj nëndege”, ka thënë Veliu shkurt për Gazetën Online Insajderi.
Po ashtu siç mëson Insajderi, një mbledhje tjetër paralelisht me atë ku u përplasen anëtarët është mbajtur me Arban Abrashin. Ajo mbledhje është mbajtur pa prezencën e kryetarit të degës dhe kryetarit të nëndegë.
Në video shihet edhe një pjesëtar i Policisë së Kosovës, ndërsa nuk dihet nëse është ftuar për të intervenuar apo jo.
Njerëzit e afërm të Hazir Borovcit nuk i kanë lejuar të hyjnë në proces njerëzit e Arban Abrashit dhe e kanë mbyllur derën, ndërsa atë pranishëm ishin edhe zyrtarët policorë.
Kurse në njoftimin e degës së Tretë të LDK-së thuhet se “në lokalet e Degës së III-të të LDK-së – Dega e Presidentit RUGOVA, u mbajt kuvendi i IX zgjedhor i Nëndegës “ Mati1”. Kuvendin e hapi kryetari i Nëndegës z. Avdi Pireva i cili pasi përshëndeti të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre, propozoi edhe trupat punuese, të cilat u votuan me aklamacion me shumicë votash. Në vazhdim kuvendi zgjodhi edhe për një mandat kryetar të Nëndegës “Mati1” z. Avdi Pireva, kryesinë e nëndegës si dhe delegatët nga kjo Nëndegë për Kuvendin e Degës’, thuhet në njoftim, duke mos përmendur veprimet tjera që kanë ndodhur gjatë këtij takimi.
Rivaliteti mes Abrashit dhe Borovcit është duke ndodhur për më shumë se tre javë, që kur kanë filluar zgjedhjet në këtë degë.