Më 13 tetor në BE do të diskutohet për liberalizimin e vizave për Kosovën, ku besohet se do jepet drita e gjelbër për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.

Lidhur me mundësinë e liberalizimit të vizave, për Gazetën Insajderi ka folur ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, i cili madje pati hapur shampanjën në vitin 2016, kur ishte marrë rekomandimi për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Çollaku tha se e çmon faktin që presidenca aktuale e BE ka marrë iniciativën që liberalizimi të futet në agjendë.

“Duhet ta çmojmë faktin që presidenca aktuale e Bashkimit Evropian ka marrë iniciativën që më në fund çështjen e liberalizimit të vizave ta fus në agjenten e Këshillit të Bashkimit Evropian, sepse siç dihet i vetmi institucion i Bashkimit Evropian, i cili ende nuk e ka pas përmbushur detyrën e vet sa i përket liberalizimit të vizave është Këshilli i Bashkimit Evropian, sepse Komisioni Evropian e ka dhënë rekomandimin e vet pozitiv në vitin 2016 dhe e ka rikonfirmuar në vitin 2018 dhe natyrisht edhe Parlamenti i Bashkimit Evropian e ka kry detyrat e veta dhe gjithmonë ka dhënë mbështetje të plotë liberalizimit të vizave për Kosovën. Mirëpo vendimmarrja ka munguar në kuadër të Këshillit të Bashkimit Evropian për arsye që janë të njohura për ne, ka pasur shtete të caktuara në momente të caktuara që e kanë bllokuar vendimmarrjen” – tha ai.

Por, Çollaku theksoi se është vetëm vendim i punës dhe se nuk do të merret ndonjë vendim përfundimtar.

“Tani kemi moment të ri, pritet që çështja e liberalizimi të shtrohet në nivel të grupit punues, por nuk do të jetë një moment dhe takim që do të merret një vendim përfundimtar, është një vendim i punës” – nënvizoi ai.

Tutje, Çollaku shtoi se diskutimi për çështjen e liberalizimit të vizave në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian, më 13 tetor, nuk është meritë e kësaj Qeverie.

“Pengesat nga shtetet si Franca e Holanda janë zbehur prandaj është krijuar një momentum, nuk është meritë e kësaj Qeverie sepse detyrat dhe kriteret janë plotësuar para 6 viteve. Kjo është meritë e atyre që kanë punuar para 6 viteve për përmbushjen e kritereve, e shërbyesve civilë dhe meritë e qytetarëve të Kosovës që kanë duruar kaq gjatë” – përfundoi Çollaku.