Emisari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, mbrëmë ka mbajtur një takim virtual bashkë me anëtarët e komunitetit amerikano-shqiptar.
Grenell i informoi pjesëmarrësit rreth takimit që kishte pasur gjatë ditës së djeshme me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, të cilin e informoi rreth anulimit të takimit që pritej të mbahej sot në Washington për rifillimin e bisedimeve Kosovë-Serbi.Trump e autorizoi Grenellin që t’i jap edhe një mundësi dialogut për të parë nëse ka shanse që ai të rifilloj në të kundërtën, ambasadori mund të caktohet për detyra të tjera.
Grenell gjithashtu u shpreh se ekziston një urgjencë në nevojën që kosovarët të organizohen dhe të shprehin qëllimet e tyre të qarta për të ndjekur dialogun me një kërkesë zyrtare për ritakim.
Në bisedën me Grenellin ishin përfshirë edhe Martin Vulaj, Ish-drejtuesi i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Elmi Berisha kryetari i Vatrës, Ana Cenaj e cila e përfaqësoi komunitetin amerikano-shqiptarë në Dallas dhe Teksas, si dhe Uk Lushi nga Batalioni Atlantiku.
Të mërkurën Prokuroria Speciale njoftoi se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli, përmes një propozim-aktakuze janë ngarkuar me 100 vrasje.
Kjo ka bërë që takimi i cili ishte paraparë të mbahej sot në Shtëpinë e Bardhë mes përfaqësuesve serb dhe kosovarë, të anulohet. Pas marrjes së lajmit, i pari e kishte anuluar takimin Thaçi e pas tij edhe kryeministri Avdullah Hoti.