Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh vlerësohen si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Gratë, si viktimat më të shpeshta, shumë shpesh frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë, raporton Gazeta Sinjali.

Vetëm në orët e mëngjesit të ditës së sotme, Sinjali mëson së në Policinë e Kosovës, në stacione të ndryshme janë denoncuar katër raste të dhunës në familje, ku në tri prej tyre viktima janë gratë, ndaj të cilave është ushtruar dhunë nga bashkëshortët e tyre,

Sinjali mëson se njëri rast ka ndodhur në Fushë Kosovës, ku një grua ka denoncuar se është sulmuar fizikisht nga burri i saj, për motive ende të panjohura. Si rezultat i denoncimit, Policia ka intervistuar të dyshuarin dhe fëmijët e tyre në cilësinë e dëshmitarëve, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti tjetër është raportuar të ketë ndodhur në Malishevë, ku edhe atje një 45-vjeçare ka kërkuar ndihmë nga Policia si pasojë e dhunës që dyshohet se ka ushtruar bashkëshorti i saj, duke i shkaktuar shqetësim e frikë. Në dëshminë e saj të dhënë në polici, skajshmërisht e shqetësuar, ka rrëfyer se për 17 vite martesë, në mënyrë sistematike burri i saj ka ushtruar dhunë fizike e psikike. Policia është aktivizuar për ta kapur të dyshuarin, por i njëjti sipas informacioneve të para nuk ndodhet në Kosovë.

Ndërkohë një ngjarje e tillë ka ndodhur edhe në një familje në Prishtinë, ku një grua 27-vjeçare ka raportuar në Polici se është sulmuar fizikisht nga burri i saj pas një mosmarrëveshje që kanë pasur mes vete. Si pasojë e dhunës, ajo ka marrë trajtim mjekësor në spital dhe është liruar në shtëpi, ku sërish e gjeti burrin. Burime thonë se i dyshuari është liruar, për t’u hetuar në procedurë të rregullt.

Edhe një grua tjetër ka qenë viktimë e dhunës në familje, në orët e para të së dielës. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Gadime e Ulët e Lipjanit, ku një grua është dërguar në spital për trajtim, pas dhunës psikike që vjehrra dyshohet se ka ushtruar ndaj saj.

Sipas të njëjtave burime, edhe disa raste të tjera, në Gjakovë e në Prishtinë, kanë ndodhur pak para orës 24:00. Në Gjakovë, është arrestuar një person, nën dyshimet se e kishte sulmuar, duke e kapur për flokësh ish-bashkëshorten e tij, çka i kushtoi me ndalim policor. Kurse rasti tjetër në Prishtinë, ka ndodhur mes vëllezërve, për shkak të një mosmarrëveshje në lidhje me një borxh.