Lokale - eSIMy

Dhomat e Specializuara nuk kanë një koment për ligjin që dje u miratua edhe në lexim të dytë.

Kështu thuhet në një përgjigje me shkrim të Dhomave të Specializuara, për IndeksOnline.

Nga ky organ bëjnë me dije se aktualisht fokusi është në zbatimin e mandatit të Dhomave të Specializuara.

“Nuk kemi asnjë koment në këtë kohë.

Dhomat e Specializuara janë plotësisht të përqendruara në zbatimin e mandatit të tyre për të siguruar gjykime të drejta, të paanshme dhe të sigurta, si dhe për të siguruar mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave” thuhet në përgjigjen e DHS-së për IndeksOnline.

Në dy lexime, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Të hënën, projektligji kaloi në votim të parë, ndërkaq mbrëmë kaloi edhe në të dytin.

Të gjitha dispozitat e këtij projektligji u shqyrtuan në Komisionin për Legjislacion dhe atë për Buxhet.

Ndërkohë, shteti po përgatitet për një tjetër betejë me këtë organ gjyqësor, me ish-krerët e UÇK-së që do të apelojnë vendimin dënues ndaj tyre.

Më 16 shtator, Hashim Thaçi u dënua më 25 vjet burg, njëjtë sikur Jakup Krasniqi, teksa Kadri Veselit iu shqiptuan 18 vjet burg, e Rexhep Selimit 13 vjet sosh.