Lokale - eSIMy

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar tre persona të dyshuar nën dyshimin se kanë kryer kontrabandë me migrantë.

Sipas njofimit të policisë, njësia policore për mbikqyrje të pikës kufitare në Vërmicë, gjatë ditës së sotme,gjatë kryerjes së detyrave të rregullta për vëzhgim të vijës kufitare, ka vërejtur një grup prej 24 personash me shtetësi siriane duke hyrë ilegalisht nga Republika e Shqipërisë në territorin e Republikës së Kosovës.

Policia ka bërë të ditur se përveç këtij grupi, janë vërejtur edhe dy automjete në të cilat ishin katër persona që dyshohet se ishin në pritje për kontrabandim të personave të lartëcekur.

“Në lokacion policia ka bërë arrestimin e tre personave të dyshuar me ç’ rast u janë konfiskuar telefonat personal të cilët dyshohet se kanë përmbajtje të dëshmive që i implikon të dyshuarit në rast”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia tutje ka bërë të ditur se ka bërë edhe sekuestrimin e dy automjeteve me të cilat është tentuar që të kryhet kontrabandimi me migrantë.

“Në konsultim me prokurorin kompetent,  tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa i dyshuari i katërt është në kërkim nga Policia e Kosovës, pasi që gjendet në arrati”, njofton policia.