Një incident i rëndë ka ndodhur më 18 nëntor 2025 në oborrin e shkollës së mesme “Aleksandër Xhuvani” në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Podujevë, ku një i mitur ka sulmuar dy bashkëmoshatarë, duke ngritur dyshime të bazuara për veprën penale “Vrasje në tentativë”.
Sipas burimeve nga strukturat e afërta me hetimin, i dyshuari, rreth 16-vjeçar, dyshohet se ka sulmuar dhe plagosur dy nxënës tjerë të moshës 16 dhe 17 vjeç, në rrethana që po trajtohen si jashtëzakonisht serioze nga organet e drejtësisë.
Prokurorja kujdestare për të mitur, përveç veprës “Vrasje në tentativë”, ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet edhe rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll i paautorizuar i armës”.
Rasti tashmë është transferuar në NHP, ndërsa viktimat pritet të intervistohen ditëve në vijim për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore.






