Policia e Kosoëvs ka njoftuar se gjatë aksionit të sotëm në dy komunat e Kosovës Pejë dhe Mitrovicë ka ndaluar 11 persona si të dyshuar të përfshirë në disa vepra penale.
Sipas policsë, përvec 11 personave të arrestuar, janë sekuestruar edhe prova material që dëshmojnë përfshirjen e personave në këto vepra.
Njoftimi i policisë:
Policia e Kosovës, në vazhdën e përpjekjeve për parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit, ka realizuar një operacion policor në disa lokacione të ndryshme për veprat penale që ndërlidhen me trafikimin e armëve dhe kultivimin e bimëve narkotike.
Me datën 7 shtator 2022, Policia e Kosovës, përkatësisht Divizioni Kundër Krimit të Organizuar, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, kanë zhvilluar hetime intensive, me qëllim të zbardhjes së veprimtarive kriminale të disa personave të dyshuar që kryenin veprat e lartcekura.
Si rezultat i veprimeve të marra është realizuar operacioni policor në rajonin e Mitrovicës së Jugut dhe në rajonin e Pejës, i cili ka rezultuar me shoqërimin në stacion policor të 11 personave të dyshuar.
Po ashtu njësitë policore në këto lokacione, kanë kryer kontrolle të shtëpive dhe objekteve përcjellëse, pronë e të dyshuarve të përfshirë në raste, me qëllim të mbledhjes së provave për veprimtarinë kriminale të të dyshuarve, me ç’rast është gjetur një plantacion i bimëve narkotike në fushë të hapur (pyll).
Gjatë këtij operacioni policor në të dy rajonet në Pejë dhe në Mitrovicë të Jugut, janë sekuestruar provat materiale si:
• shtatë (7) armë (2 Ak47, 5 revole),
• rreth 70 fishekë kalibër të ndryshëm,
• 92 bimë kanabis (marihuanë) me lartësi 1- 1.5 m,
• mbi 25 gramë kokainë,
• 5500 euro (para të gatshme),
• 6 telefona,
• si dhe dokumente relevante për rastin.
Pas procedurave të intervistimit me urdhër të prokurorit kompetentë 6 prej tyre janë dërguar në mbajtje. Policia e Kosovës do të vazhdojë përkushtimin e saj në realizimin e detyrave për parandalimin dhe luftimin e krimit si dhe identifikimin dhe arrestimin e personave kryes të veprave penale.






