Lokale - eSIMy

Ka dështuar sërish zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit të Podujevës, në mbledhjen e sotme në dy raundet e para, raporton Llapi.info.

Në këtë mbledhje, këshilltarja komunale, Adelinë Stublla, është propozuar për kryesuese të Kuvendit, por që e njëjta s’i ka marrë votat e mjaftueshme, e që duhen të jenë 18 sosh.

Në raundin e parë kanë marrë pjesë 15 këshilltarë komunalë, prej tyre, 13 kanë votuar për, një kundër dhe një abstenim. Edhe në  raundin e dytë kanë qenë po këto rezultate.

Pas këtij raundi, Kuvendi i Podujevës ka shkuar në pauzë deri në ora 14:30, ku pritet të nis edhe raundi i tretë.

Kuvendi i Podujevës ka kohë vetëm deri më 3 janar që të zgjedhë kryetarin, në të kundërtën, do të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme për Kuvendin Komunal./Llapi.info