Mbledhja e Kryesisë e paralajmëruar për në orën 11:00 ka dështuar pasi nuk pati kuorum, njofton Klankosova.tv.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, nuk e ka konsideruar si të qëllimshme mungesën e nënkryetarëve, por tha se debati për anulimin e projektit për gazsjellësin duhet të mbahet sa më shpejtë.
“Nuk e konsideroj të qëllimshme pasi nuk kishte mungesë vetëm nga Vetëvendosje por edhe nga partitë e tjera. Për ne si grup parlamentar është jashtëzakonisht me urgjencë që të ndodhë debati parlamentar”, tha Tahiri para mediave.
“Debatet nuk kanë veprim të drejtpërdrejt obligues ndaj qeverisë por ne duhet ta rikthejmë çështjen e MCC dhe projektit të gazit amerikan për shkak se po i bën dëm të madh Kosovës. Qeveria ka qenë e pasaktë dhe nuk ka dhënë asnjë argument, e vetmja gjë që e kemi dëgjuar ka qenë se e kanë përdorur termin e fizibilitetit, asnjë argument tjetër”, tha më tej Tahiri.






