Sot janë bërë 24 vjet nga beteja e lavdishme e Llapashticës, betejë në të cilën ranë heroikisht 10 dëshmorë të Llapit, njofton Llapi.info.
Llapashtica ishte kthyer në një kala të pathyeshme, teksa ishte 24 dhjetori i vitit 1998 kur filluan betejat e pareshtura në Zonën Operative të Llapit.
Beteja e Tabeve te Llapashticës ishte njëra ndër betejat më të lavdishme të UÇK-së. Në këtë vend, forcat e UÇK-së i kishin dhënë goditje të fuqishme forcave serbe, duke iu shkaktuar humbje të mëdha në njerëz dhe në teknikë. UÇK në këtë betejë tregoi se ishte e organizuar, përkundër që ishte në numër më të vogël kundrejt një makinerie të sofistikuar.
Në njërën nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Tabet e Llapashticës po mbrohej populli shqiptar në luftën për çlirimin e Kosovës.
Forcat pushtuese serbe, të pajisura me gjithë arsenalin ushtarak ia patën mësyrë atë ditë Llapashticës me qëllimin e vetëm për të asgjësuar komandën e UÇK-së së ZOLL-it, por nuk ia arritën dot këtij qëllimi, pasi para se të arrinin në këtë fshat u ndeshën në Tabe me forcat e UÇK-së, me ç’ rast ishte zhvilluar një betejë e ashpër. Ai vend i njohur ishte fole dhe fortifikatë e UÇK-së, ku prej 15 shtatorit 1998 deri më 24 mars 1999 u thyen me dhjetëra ofensiva serbe që mësynin pozicionet e UÇK-së.
Gjatë Betejës së Llapashticës, më 24 dhjetor 1998, nga radhët e UÇK-së ranë dëshmorët e kombit: Isa Havolli, Ismet Dërguti, Skender Zenjullahu, Miftar Zenjullahu, Lulzim Jashari, Bajram Murati, Avni Selmani, Fatmir Selmani, Remzi Demolli dhe Jetullah Kastrati./Llapi.info