Prishtinë – Dëshmitari Qamil Maroshi ka deklaruar se ditën kritike kishte dëgjuar vetëm të shtënën e armës, në gjykimin ku Baki Shkodriqi e Besnik Shkodra akuzohen për vrasjen e rëndë që kishte ndodhur në shkurt të vitit të 2019-të, në Prishtinë.
Besnik Shkodra po akuzohet për vrasje të rëndë e armëmbajtje pa leje, kurse babai i tij, Baki Shkodriqi po akuzohet për shtytje në vrasje të rëndë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në pyetjen e prokurores Fitore Sadikaj, se çfarë kishte parë në ditën kritike, dëshmitari Maroshi tha se atë ditë nuk kishte parë asgjë, vetëm e kishte dëgjuar të shtënën e armës.
“Vetëm e kam dëgjuar krismën dhe kam qenë duke hyrë në furrë, krismën e kam dëgju vetëm njëherë”, tha ai.
Maroshi tha se për këtë rast nuk ka dhënë deklaratë në polici edhe pse pas ballafaqimit nga ana e prokurores Sadikaj me atë deklaratë i njëjti tha se nënshkrimi është i tij.
Tutje, Maroshi sqaroi se për këtë rast nuk ka shkuar në polici për të dhënë deklaratë, por është pyetur për rastin nga policët në furrë.
Pas kësaj, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokat Jeton Osmani e ka ballafaquar dëshmitarin me një pjesë të asaj deklarate, për të cilën dëshmitari tha se nuk e ka thënë dhe atë deklaratë vetëm e ka nënshkruar.
Mbrojtësi i të akuzuarit Besnik Shkodra, avokat Skender Musa, e pyeti dëshmitarin se këtë deklaratë a e ka shkruar ai apo zyrtarët policor, për çka dëshmitari tha se nuk e ka shkruar vetëm është nënshkruar në fund.
Maroshi shtoi se kjo deklaratë nuk i është lexuar para se ta nënshkruaj.
E në pyetjen e anëtares së trupit gjykues, gjykatëses Fatime Dërmaku, se a nënshkruan çka do që i ofron policia pa e lexuar dhe pa e parë, dëshmitari u përgjigj se nuk i nënshkruan, por sipas tij, njeriu ndonjëherë vepron pa dije.
Lidhur me këtë deklaratë të dëshmitarit Maroshi, kishte vërejtje nga prokurorja Sadiku dhe avokati Osmani, por të njëjtit deklaruan se vërejtjet do t’i paraqesin në fjalën përfundimtare.
Ndërkaq, mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Skender Musa dhe Sadije Mjekiqi, deklaruan se nuk kanë vërejtje në këtë deklaratë.
“Konsideroj se dëshmia e dëshmitarit që u dëgjua sot vlen vetëm ajo çfarë ka thënë sot, ndërsa për deklaratën në polici është pa fuqi juridike, sepse dëshmitari mohoj faktin se i është lexuar ajo deklaratë”, tha Mjekiqi.
Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kushtrim Shyti, i pyeti palët në procedurë nëse kanë propozime për prova të reja.
Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokat Osmani, propozoi që në cilësi të dëshmitarëve të ftohen zyrtarët policorë Agon Haxhaj, Vullnet Nuredini dhe Ahmet Isufi, sipas tij, që të tre kanë qenë në detyrë natën kritike kur i ndjeri A.H është lajmëruar në polici për të hapur rast.
Osmani po ashtu propozoi që në cilësi të dëshmitarëve të ftohen Burhan Kryeziu, Shyqri Musa, Sahara Fazliu dhe Behar Jashari.
Avokati Musa propozoi që të bëhet rikonstruksioni vendit te ngjarjes dhe gjykata të nxjerr të kaluarën kriminale të të ndjerit, pasi që sipas tij, kemi pasur të bëjmë me një person problematik dhe i mbrojturi i tij ka qenë i rrezikuar me jetë nga i njëjti.
Ndërsa lidhur me propozimet e mbrojtësit të palës së dëmtuar, avokati Musa i kundërshtoi të njëjtat.
Më këto propozime u pajtua edhe avokatja Mjekiqi, e sipas saj aprovimi i propozimit të avokatit Osmani vetëm do e zgjasnin procedurën pa nevojë dhe nuk do të sjellin asgjë më shumë për të kontribuar më shumë për gjendjen faktike.
Lidhur me këto propozime, prokurorja Sadikaj tha se sa i përket rikonstruksionit dhe atë se çfarë pretendon avokati Musa, më së miri e vërteton një video-incizim i cili është i paraqitur edhe si provë, ndërsa për propozimet tjera ajo tha se ia lë gjykatës të vendosë.
Pas konsultimit të trupit gjykues, të njëjtit morën vendim më të cilin e refuzuan propozimin e avokatit Musa për nxjerrjen e të dhënave për të kaluarën kriminale të të ndjerit, me arsyetimin se për gjykatën do të mund të ishte e rëndësishme vetëm aktgjykimet e formës së prerë, ndërsa për rikonstruksionin e vendit të ngjarjes gjykata do të vendosë pas administrimit te provave materiale.
Ndërkaq, u aprovua propozimi i avokatit Osmani, por me pajtimin e të njëjtit nuk do të ftohet në cilësi të dëshmitarit Vullnet Nuredini.
Në fund, u bë administrimi i provave materiale të propozuara nga prokurorja, ndër të cilat u shiqua edhe një video incizim nga vendi i ngjarjes në ditën kritike.
Por, me qenë se ishte orari i pauzës dhe për shikimin e video-incizimit duhej më shumë kohë, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kushtrim Shyti, mori vendim me të cilin e ndërpreu seancën dhe atë të radhës e caktoi më 5 maj 2022.
Sipas aktakuzës së ngritur më 22 shtator 2020, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Besnik Shkodra akuzohet se më 27 shkurt 2019, në Prishtinë, pas një mosmarrëveshje të mëhershme në mes të tij dhe tani të ndjerit Abit Jashari, ditë kritike, derisa i ndjeri ishte duke u kyçur në rrugën “Haxhi Zeka” me veturën e tij të llojit “Opel Omega”, ishte i ndalur në atë rrugë me veturën “Citroen C4”, saktësisht para lokalit të quajtur “Top Market”.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri, aty për pak kohë e ka vëzhguar tani të ndjerin, i cili ishte duke ardhur në drejtim të rrugës ku ishte ai dhe me t’u afruar në një distancë prej 4-5 metrash, i akuzuari me dashje që ta privojë nga jeta ka shtënë me armë të llojit “Cervena Zastava”, M70, e kalibrit 7.65x 17mm, në drejtim të tani të ndjerit Abit Jashari, i cili gjendej në veturë.
Sipas aktit akuzues, tani i ndjeri del nga vetura, ku i pandehuri ka shtënë me armë prapë në drejtim të tij, me ç’rast tani i ndjeri vazhdon të ecë 2-3 metra dhe rrëzohet në tokë.
Tutje, në aktakuzë thuhet se pas plagëve të marra në shpinë të dorës dhe në regjionin e pasmë të majtë të shpinës, ndërron jetë në vendin e ngjarjes.
Për këtë, Besnik Shkodra akuzohet për veprën penale “Vrasja e rëndë”.
Kurse, në dispozitivin e dytë të akuzës, ai akuzohet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi sipas prokurorisë, nga data e pacaktuar e deri më 27 shkurt 2019, i njëjti pa autorizim ka mbajtur në pronësi revolen e lartcekur, duke shkelur ligjin e zbatueshëm lidhur me armën.
Në anën tjetër, Baki Shkodriqi akuzohet se me dashje e ka shtyrë të pandehurit Besnik Shkodra, djalin e tij, që ta kryejë veprën penale të vrasjes së përshkruar në dispozitivin e parë të aktakuzës.
Aktakuza thotë se gjatë hetimeve ka rezultuar se i pandehuri Baki, në mëngjesin e po asaj dite, i ka dërguar një sms Besnikut me fjalët “a e mbushe”, ndërsa i pandehuri pasi e ka përfunduar vrasjen e ka informuar të pandehurin me sms se “e kreu”, e kjo ka ndodhur pak minuta pasi është kryer vrasja.
Për këtë, ai akuzohet për shtytje në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë. /BetimipërDrejtësi






