Komisioni Ministror për hartimin, përgatitjen dhe zbatimin e projektit “Memoriali për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë” ka mbajtur sot mbledhjen e parë.
“Jemi mbledhur për të çuar përpara një vendim të rëndësisë së veçantë, për një çështje shumë të dhimbshme e tejet të ndjeshme për të gjithë ne”, tha kryeministri Albin Kurti, në hapje të takimit.
“Liria jonë i ka rrënjët te të rënët për liri, e mënyra se si ne i kujtojmë ata tregon për të ardhmen që do të ndërtojmë. Andaj është detyrë e secilit prej nesh, për lirinë e paqen që e gëzojmë, që gjithmonë të kujtojmë sakrificën e popullit tonë”, tha ai.
Kurti theksoi se krimet e luftës, gjenocidi e krimet kundër njerëzimit nuk janë të kaluara.
Ai shtoi se vrasjet fëmijëve gjatë luftës janë krimet më të tmerrshme të Serbisë.
Kryetare e Grupit Punues të këtij komisioni do të jetë nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.
Saranda Bogujevci është e mbijetuar e masakrës së 28 marsit 1999, ku 7 fëmijë nga mosha 2 deri në 15 vjeç të familjes Bogujevci, Duriqi e Llugaliu, u pushkatuan në Podujevë nga njësiti rezervë policor serb “Shkorpionët”.
Në këtë masakër deputetja e LVV-së humbi 16 anëtarë të familjes, dhe u mbijetoi 16 plumbave.
Grupit Punues, i mandatuar me hartimin e Planit të Veprimit për ndërtimin e Memorialit për Fëmijët e Vrarë Gjatë Luftës në Kosovë, me përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të zgjerohet me përfaqësues të familjeve të fëmijëve të vrarë gjatë luftës, ekspertë, përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare.