Deputetja e PDK’së, Ganimete Musliu iu është drejtuar me një pyetje parlamentare zëvendëskryeministrit të Kosovës, Driton Selmanajt, të cilin e ka pyetur se cila është strategjia e kësaj qeverie që të zbardhen vrasjet e veprimtarëve të LDK’së, raporton Gazeta Express.

Musliu ka thënë se LDK’ja ka proklamuar në çdo fushatë se me ardhjen në pushtet do të bëjnë zbardhjen e vrasjeve politike.


“Në çdo fushatë ju personalisht po edhe LDK’ja keni proklamuar se me ardhjen në pushtet do të bëni zbardhjen e të gjitha rasteve të ashtuquajtura vrasje politike, tani meqë jeni në pushtet ju jeni zv.kryeminsitër, kisha dashtë me ditë cili është plani konkret i kësaj qeveri për zbardhjen e këtyre rasteve, kur do të shohim një plan konkret, kur do të shihen rezultatet e para, kisha dashtë që edhe deputetët e LDK’së të më bashkohen në këtë iniciativë”, ka thënë Musliu.

Kësaj pyetje në Kuvend iu është përgjigjur zv.kryeministri Driton Selmanaj.

Ai ka deklaruar se do të krijohet ambient i përshtatshëm ku drejtësia do të thotë emrin e vet për këto raste.

“Kisha telashe me kuptu pse bash mu më drejtohet kjo pyetje, unë në kohë të fushatës nuk i kam përmend këto raste, po para se me hy në politikë i kam përmend madje shumë, kjo mendoj që duhet të jetë kërkesë e të gjithë popullit që të gjitha vrasjet të zbardhen. Mendoj që është obligim i të gjithëve që drejtësia të vihet në vend. Besoj jeni të vetëdijshëm që politika t’i jep zgjidhje këtyre gjërave. Jeni shumë gabim, këto procese janë të ndame, krejt çka mund të bëjmë ne si politikan është të ndërtojmë ambient të përshtatshëm ku drejtësia e thotë emrin e vet. Kushdo që është vrarë gjatë dhe pas luftës meriton drejtësi”, ka thënë Selmanaj.

Pas deklaratës së zv.kryeministrit, Musliu ka bërë thirrje për deputetët e LDK’së që t’i bashkohen nismës së saj.

“Më vjen mirë që pas shumë vitesh, për herë të parë e thoni me fjalën plotë që kjo është çështje e drejtësisë, jam e vetëdijshme që politika si zgjidhë këto çështje. Kam kërku që sa kohë të mos abuzohet me familjet që ju kanë ndodhë këto raste, keni bërë politikë me këto raste po ju pyes çka keni plan konkret, po i thërras të gjithë deputetët e LDK’së që të bëjmë presion që ju të bëni diçka konkrete për zbardhjen e këtyre rasteve, në fushata kemi me u përballë prap”, tha Musliu.

“Po e përsëris nuk është cështje fushate, është çështje komplekse, mos provoni askush me reduktu në çështje të përfitimeve elektorale. Nuk do të ndalem kurrë derisa secila vrasje të zbardhet. Rolin tonë kemi me lujt si qeveri, kemi me kriju ambient që prokurorët dhe gjykatësit me kry punën e vet”, ka përfunduar zv.kryeministri, pas deklaratës së deputetes.