Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Serbeze Kabashi- Muçaj, është shprehur e zhgënjyer me situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës dhe bllokimin e funksionimit të institucioneve të vendit.
Për gjendjen e krijuar, profesoresha Kabashi – Muçaj, thotë se “nuk është as e pranueshme, as e drejtë”.
“Është e pakuptimtë dhe e padrejtë që përgjegjësia për zhbllokimin institucional t’i lihet vetëm një partie, kur procesi është kolektiv dhe çdo deputet mban një mandat që i buron nga qytetarët, jo nga aritmetika politike”, thuhet ndër të tjera në reagimin e saj.
Shkrimi i plotë:
Reagim Publik
Të nderuar qytetarë,
Po ju drejtohem sot jo thjesht si përfaqësuese e një subjekti politik, por si përfaqësuese e besimit tuaj – një besim që më ngarkon me përgjegjësi të drejtëpërdrejtë ndaj interesit publik dhe rendit demokratik.
Kur institucionet e shtetit ngujohen në heshtje dhe bllokadë, zëri i ndërgjegjes duhet të dëgjohet.
Jemi dëshmitarë të një situate të paprecedentë në Kuvendin e Kosovës: 15 seanca të dështuara për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe vazhdimi i kësaj bllokade po minojnë seriozisht besimin e qytetarëve në funksionimin e demokracisë parlamentare.
Kjo gjendje nuk është as e pranueshme, as e drejtë.
Është e pakuptimtë dhe e padrejtë që përgjegjësia për zhbllokimin institucional t’i lihet vetëm një partie, kur procesi është kolektiv dhe çdo deputet mban një mandat që i buron nga qytetarët, jo nga aritmetika politike. Përgjegjësia për të çuar vendin përpara është e përbashkët, ashtu siç është edhe dëshira e qytetarëve për stabilitet, rend dhe zhvillim.
Subjektet politike duhet të reflektojnë. Asnjë kalkulim afatshkurtër nuk duhet të mbajë peng asnjë ditë më shumë të ardhmen e vendit. Ne nuk kemi të drejtë t’i zhgënjejmë qytetarët me mosveprim. Ata na kanë zgjedhur për të zgjidhur, jo për të bllokuar.
Respektimi i Kushtetutës, zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe përmbushja e detyrave parlamentare nuk janë çështje vullneti, por detyrimi ligjor dhe moral.
E vërteta është se Kosova sot ka nevojë për institucione funksionale, jo për krizë politike. Ka nevojë për bashkëpunim, jo për fajtore. Ka nevojë për përfaqësues që veprojnë, jo që heshtin.
Me këtë reagim, nuk kërkoj asgjë më shumë përveç përgjegjësisë që na takon të gjithëve: t’i rikthejmë qytetarëve besimin në demokraci.
Zgjidhja është në duart tona. Të mos e zhgënjejmë më shumë popullin që na ka besuar.
Me respekt,
Prof. Dr. Serbeze Kabashi-Muçaj
Deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës