Deputetja nga LDK-ja, Doruntinë Maloku ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë çfarëdo që është e nevojshme për të kthyer në binarë Telekomin e Kosovës.
Sipas saj, Kosova po rrezikon ta humb Telekomin për shkak të qeverisjes së keqe.
“Telekomi i takon vendin tonë dhe në asnjë mënyrë nuk do të duhej të rrezikonim punëtorët të cilën kanë dalë në rrugë. Kosova po rrezikon të humb me një kompani publike shumë të rëndësishme si rezultat i një qeverisje të keqe dhe të papërgjegjshme korporative të karaterizuar me grupe të interesit mbi baza partiake dhe me fundament kriminal”, tha ajo.
Kuvendi i Kosovës këtë pasdite ka nisur debatin parlamentar për situatën financiare të Telekomit të Kosovës, kërkesë kjo e cila ishte parashtruar nga Lëvizja Vetëvendosje në seancën e kaluar.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga LVV-ja, Arbërie Nagavci tha se pushtetit nuk iu ngut të diskutojë për këtë temë më herët, para se përmbaruesi të tërheq borxhin nga llogaritë e ndërmarrjes.






