Deputeti nga Bundestagu u Gjermanisë nga radhët e SDP-së, Stefan Schwartze, ka mbajtur fjalim në tubimin e mbajtur nga Lëvizja Vetëvendosje në Gjilan.

Ai me të nisur fjalimin e tij ka thënë se atmosfera që po përjeton në palestrën e sporteve në këtë qytet në shtetin e tij mund të ndjehet vetëm në ndeshje futbolli.

“Jam këtu sot sepse besoj që ju në Kosovë qëndroni para një momenti historik. Besoj që e keni shansin e madh për ndryshimin e madh në Kosovë. Nga këto zgjedhje varet edhe perspektiva e ardhme e Kosovës. Varet edhe perspektiva e rinisë së Kosovës”, ka thënë Schwartze, njofton Klan Kosova.

“Sot në mëngjes kemi diskutuar me Albin për perspektivën e të rinjve dhe arsimin profesional në Gjermani dhe si të ishte e mundur që një sistem i tillë të ishte edhe në Kosovë. Kemi diskutuar se si mund të kemi më shumë siguri sociale dhe të drejta të qytetarëve në Kosovë”.

“Një kancelar gjerman, Willy Brandt ka thënë se ne duhet të jemi shembull si miq të mirë për ata të cilët na rrethojnë dhe për shtetet që na rrethojnë. Miqtë e mirë e ndihmojnë dhe mbështesin njëri-tjetrin. Unë jam dikush që dua t’ju mbështes juve në rrugën tuaj drejt BE-së. Jam dikush që do t’ju mbështes pasi që ju bëhet padrejtësi në lidhje me regjimin e vizave”.

Ai ka thënë se zgjedhjet e 6 tetorit janë historike për Kosovën.

“Ju ftoj të guxoni dhe të jeni më shumë demokrat. Kjo do të thotë që në zgjedhje në mënyrë demokratike ta sillni ndryshimin. Shpresoj shumë që Kryeministër i ardhshëm i Kosovës të jetë Albin Kurti. Kam ardh që ta mbështes Albin për Kryeministër dhe shpresoj që edhe ju ta keni guximin që ta mbështesni”.