Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri, i cili siguroi ulësen në Kuvendin e Kosovës pasi Arben Vitia u bë ministër i Shëndetësisë, i ka kërkuar falje këtij të fundit.
Por, tashmë ish-ministri Vitia s’mund të kthehet në Kuvend, pasi një gjë të tillë s’e lejon ligji. Për këtë, Haziri thotë se nuk ndihet rehat.
“Më fal Beni! U bëra deputet pas formimit të Qeverisë Kurti. Sigurova ulësen e përfaqësuesit të popullit, pasi Arben Vitia u bë ministër i Shëndetësisë. Tani, pas rrëzimit të Qeverisë Kurti dhe formimit të qeverisë së jashtëligjshme, unë nuk po ndihem rahat. Kjo për shkak, se ligji aktual, nuk e lejon kthimin si deputet të personave që kanë qenë ministra. Unë nuk mund ta zëvendësojë Benin. Nuk jam person që mund ta përfaqësojë atë që e përfaqëson Beni. Më falë Beni se sikur të ishte mundësia ligjore, me knaqësinë më të madhe, do dilja nga Kuvendi, që Beni ta zinte vendin e tij, që e meriton. Ishte ministri më i mirë i Shëndetësisë që Kosova ka pasur ndonjëherë. I tillë do të ishte edhe në postin e deputetit”, ka shkruar ai në Facebook.
“Do të jetë mungesë e madhe për Kuvendin e Republikës, mosprania e Albin Kurtit, Glauk Konjufcës, Albulena Haxhiut. Në fakt, Kuvendi asnjëherë nuk e ka pasur hijeshinë e tij, e as nuk do ta ketë në të ardhmen, pa këta njerëz të dijshëm dhe të ndershëm. Kjo na bënë që ne patjetër t’i kthehemi KUVENDIT të qytetarëve që është SHESHI. Sheshi është Kuvendi jonë, populli është përbërja e Kuvendit të Sheshit, Zgjedhjet janë e drejta e secilit”, ka shkruar tutje ai./Llapi.info






