Lokale - eSIMy

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri, ka deklaruar se mbështet idenë e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani për një qeveri transitore.

Haziri ka thënë se përfaqësuesi më i denjë për kryeministër në këtë opsion do të ishte Murat Jashari.

 “Në këtë kohë të krizës politike, përplasjeve në qëllime, ndarjeve partiake dhe brendapartiake, që priten trazira që do jenë në dëmë të vendit, Murat Jashari, do të ishte njeriu më i përshtatshëm dhe konsensual për të drejtuar me qeverinë. Në kohën kur po tentohet me çdo kusht që Lista Serbe të bëhet faktor kryesor politik në qeverinë e re, që po tentohet të kontrabandohet nga Lidhja Demokratike dhe në projektin e dëmshëm të presidentit Thaçi për shkëmbimin territorial, një person nga familja Jashari, do të jetë shtyllë e fortë në ndaljen e këtyre të këqijave”, ka shkruar ai.

“Për ata që mbrojnë vlerat e lirisë dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z.Murat Jashari, s’do të duhej të ishte pengesë që ta kenë kryeministër të vendit, në një periudhë tranzitore. Me këtë vendim do të ndalej ndikimi i Serbisë në qeverinë e re dhe shkëmbimi territorial nuk do të mundësohej. Unë si deputet i Kuvendit e mbështes propozimin e Vjosa Osmanit, për qeveri tranzitore dhe njeriu ideal për kryeministër i kësaj qeverie, do të ishte Murat Jashari”, ka përfunduar ai./Llapi.info