Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri e ka quajtur skandaloz vendimin ish-ministrin Shëndetësisë nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili se ka refuzuar donacionin në vlerë prej 4.6 milionë eurosh nga shteti i Kanadasë.
Sipas tij, ky donacion ishte për pajisje shëndetësore. Haziri nëpërmjet një postimi në Facebook ka shkruar se “Të refuzohen donacionet me qëllim që të ketë tenderë në mënyrë që të përfitojnë kompanitë e lidhura me PDK-në, është kriminale.
Postimi i plotë:
Përveç vjedhjeve, korrupsionit, zhvatjes dhe keqpërdorimit të shtetit, Republika jonë ka pasur ministra që kanë refuzuar donacione në vlerë hiç më pak se 4.6 milionë euro. I tillë ka qenë ish- ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, i cili kishte refuzuar donacionin nga shteti i Kanadasë, për pajisje shëndetësore në shifër prej 4.6 milionë euro. Kjo është skandaloze.
Të refuzohen donacionet me qëllim që të ketë tenderë në mënyrë që të përfitojnë kompanitë e lidhura me PDK-në, është kriminale. Prandaj, me këta ministra, vendi ynë, veçmas sektori i Shëndetësisë ka qenë në gjendje të tmerrshme.
Po aq skandaloze, është tentimi i rrëzimit të Qeverisë, dhe tentativa për t’i sjellur sërish në pushtet këta persona, që punuan për xhepat e tyre.






