Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Sejdi Hoxha, ka thënë se Qeveria e kaluar e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ka dështuar në implementimin e Pakos emergjente në kohën e pandemisë COVID-19.

Hoxha në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se Pakoja emergjente ka pasur shumë probleme, transmeton Telegrafi.

“Koalicioni LVV-LDK edhe pse në formë klandestine në mesnatë e kishte aprovuar buxhetin e Republikës së Kosovës, duke u thirrur në urgjencën e pandemisë atyre nuk iu ra fare ndërmend që në ligjin e buxhetit të ndajnë mjete financiare me të cilat do të ndihmohen bizneset dhe qytetarët”, ka thënë ai, përcjell Telegrafi.

Deputeti ka thënë se për shkak të problemeve me implementim e Pakos fiskale, shumë qytetarë rrezikojnë të mbesin pa punë.

“Dështuat në implementimin e pakos fiskale. Qeveria e ka kuptuar se pakoja është jo ligjore, dhe ka kërkuar të rishikohet buxheti, kjo është fyerja më e madhe, nga qeveritë e papërgjegjshme”, deklaroi ai.

Në fund, deputeti i PDK-së, tha se qeveria Hoti është bashkëfajtore me Qeverinë e kaluar të Kurtit për dështim në zbatimin e Pakos fiskale.