Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, janë marrë vesh parimisht për krijimin e qeverisë së re,  LDK-AAK-Nisma-AKR dhe komunitetet jo shumicë. Krejt kjo nëse  presidenti Hashim Thaçi, ia jep të drejtën për krijimin e qeverisë LDK-së si partia e dytë e dalë nga zgjedhjet nacionale të 6 tetorit të vitit të kaluar., raporton Ekonomia Online.

Ekonomia Online,  ka siguruar letërkëmbimin midis krerëve të LDK-së dhe AAK-së. Mustafa i ka shkruar Haradinajt,  se Kosova po përballet me një situatë të rëndë institucionale pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë aktuale, që ndodhi me 25 mars.  “Jemi të bindur se Kosovës i nevojitet themelimi i një qeverie të re  duke ndjekur të gjitha rrugët kushtetuese. Mbi këto kritere si parti e dytë e dalë nga zgjedhjet nacionale të 6 tetorit 2019 do të pranojmë mandatin në qoftë se ofrohet për themelimin e Qeverisë me një koalicion me ju AAK-në, Nismën, AKR-në dhe subjektet që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë.  Betejë kryesore kësaj qeverie do të ishte lufta kundër coronavirsuit, përmbyllja e dialogut me Serbinë me njohjen reciproke, rimëkëmbja e ekonomisë  pas pandemisë  dhe forcimi i partneritetit me ShBA-në dhe BE-në”,  i ka shkruar Mustafa, Haradinajt.

Në këtë letër thuhet se bazë e programit qeverisës të jetë programi zgjedhor i LDK-së me mundësi të plotësimit nga programi zgjedhor i AAK-së, koalicionit Nisma- AKR dhe komuniteteve.

Deputeti i AAK-së,  Bekë Berisha në një intervistë për Ekonomia Online e ka konfirmuar se parimisht janë marrë vesh me  LDK-në për krijimin e qeverisë së re.  Sipas tij, AAK do të jetë pjesë e një qeverie që nuk dialogon për ndarje apo shkëmbim territoresh. Sipas Berishës, e rëndësishme është që të përfshihet edhe ndërtimi i Autostradës së Dukagjinit.

“Ne jemi marrë vesh në parim, nuk kemi hyrë tek ndarjet apo te kushtet, mirëpo edhe prej LDK-së por edhe të gjitha partitë që do të bëjmë këtë koalicion, jemi marrë vesh që njerëzit përfshihen në këtë qeveri mos të kenë aktakuza fillimisht, pastaj janë disa projekte tona që duam t’i përfshijmë në buxhetin kur të riorganizohet sërish. Në këtë kohë pandemie, kjo qeveri është e nevojshme për të tejkaluar këtë situatë sepse e kemi një qeveri të shkarkuar e cila nuk ka kompetencë as t’i riorganizojë buxhetin e as ndarjen e mjeteve për COVID-19 dhe për këtë situatë që po shkon duke u renduar”, ka thënë Berisha.

Ai ka thënë se AAK-ja nuk do të qes kushte sepse e rëndësishme është që të formohet një qeveri legjitime.

“Ne nuk do të shkojmë që të qesim kushte, jemi marrë vesh të gjithë, mirëpo e rëndësishme është që ta bëjmë një qeveri legjitime, me kalu këtë situatë me disa mjete dhe me përfundua këtë situatë”, ka thënë Berisha.

Berisha ka thënë se për shkak të pandemisë, kanë kërkuar nga Këshilli Drejtues që të japin mendimin e tyre pro apo kundër koalicionit përmes telefonit.

“Në mungesë të organizimit të ndonjë takimi të Këshillit Drejtues, ne iu kemi bërë ftesë përmes telefonit, që të na tregojnë se a janë pro apo kundër këtij koalicioni dhe më duket se shumica janë pro hyrjes në këtë koalicion sepse është gjendja e vështirë”, ka thënë Berisha për Ekonomia Online.

Berisha ka thënë se do të kërkojnë që nëse futen në koalicion të përfshihet edhe autostrada e Dukagjinit.

“Nuk jemi shkuar tek ato detaje. Sa i përket projektit të Autostradës së Dukagjinit, ajo është kërkesë permanente e jona dhe ka qenë premtim i yni elektorat dhe besojmë se do ta përfshijmë në buxhet dhe do ta zbatojmë. Nuk bëjmë kushte tani për kohën kur do të kryhet, e rëndësishme është që të hyjë në buxhet. Nuk e ngarkojmë buxhetin tani për tani sepse njëherë jemi në fokus të tejkalimit të kësaj situate”, tha ai për Ekonomia Online.

Ai ka thënë se nuk do të marrin pjesë në ndonjë qeveri e cila dialogun për ndarje apo shkëmbim territoresh.

“Dialogu duhet të fillojë dhe të riorganizohet, pra kjo ka qenë kërkesë edhe e amerikanëve, është mirë që Amerika është përfshirë në dialog. Ne nuk marrim pjesë në ndonjë qeveri e cila shkon tek ato aventurat që janë përmendur deri më tani, ku bëhet fjalë për ndarje apo shkëmbim territoresh, mirëpo do të jemi në një qeveri ku ruhet Kosova, territori i saj dhe ato parime që i kemi fol gjithmonë”, tha ai.

Ai ka thënë se në pak ditë qeverisje, Albin Kurti e ka demaskuar veten.

“Ka pasur reagime të ndryshme por kjo ka qenë një marri që e ka bërë kjo qeveri, sidomos Albin Kurti, që na pat lodh për 20 vite me Bashkim Kombëtarë e duke rrëzuar kamionë me mallra nga Serbia, pastaj e largoj taksën dhe nuk e përmendi më Bashkimin Kombëtarë, i mori ato teste që janë në një shumë e vogël, të cilën Mali i Zi nuk e pranoj nga Serbia, dhe kjo na ka prekur shumë të gjithëve dhe është një lloj amnestimi që iu ka bërë në gazeta ndërkombëtare, sepse Serbia nuk qenka gjenocidiale por paska bërë një gjest të mirë duke i sjellë Kosovës 1000 teste, të cilat nuk ka qenë dashtë t’i pranojë asnjëra Qeveri, e aq më pak kjo qeveri që na pat lodh me qëndrime të forta kombëtare. Pra është një demaskim i Qeverisë Kurti”, ka thënë Berisha për Ekonomia Online.

Berisha është shprehur se Kurti e ka larguar taksën në formën më të keqe pa ndonjë kundërvlerë.

“Reciprocitet nuk do të ketë, këtë e kemi paralajmëruar. Kurti e ka larguar taksën në formën më të keqe, pa kundërvlerë, dhe reciprociteti ka qenë veç një frazë filozofike e stilit të Kurtit që t’i fsheh dëmet që i ka bërë vendit. Kurti, sa herë që ka bërë ndonjë dëm, e ka ndarë në disa fragmente dhe më pastaj ia ka shtuar një dozë filozofike”, ka thënë Berisha.

Sa i përket ndarjes së posteve ministrore, Berisha ka thënë se kjo gjë nuk është diskutuar, por që dikasteret do të ndahen në mënyrë proporcionale me numrin e deputetëve që i kanë në Kuvend.

Ndryshe, kryetari i LDK-së Isa Mustafa sot ka thënë se akoma nuk kanë pranuar letër nga presidenti Hashim Thaçi rreth çështjes së mandatarit për formimin e Qeverisë së re.

I pyetur se a mund të ketë takim paraprakisht me presidentin Thaçi, Mustafa ka thënë se kjo nuk varet prej tij dhe se po presin thirrjen prej tij.

“Akoma s’kemi ftesë, kur të thërrasin do t’i përgjigjemi. Dhe të shohim çfarë do të thotë presidenti”, ka thënë Mustafa.

Lidhja Demokratike e Kosovës në sinkron me presidentin Hashim Thaçi ka ndërmarrë veprime shtesë të hënën, në funksion të formimit të një qeverie të re, pjesë e së cilës nuk është paraparë të jetë subjekti fitues i zgjedhjeve të fundit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Thaçi ka paralajmëruar se do ta anashkalojë Vetëvendosjen dhe kësisoj, pritet që emrin e mandatarit ta marrë nga LDK-ja.