Qeveria e Kosovës ka vazhduar të paralajmërojë qytetarët për një dimër të vështirë, duke përmendur krizën energjetike dhe thirrjen për të gjetur alternativa për ngrohje, pas kësaj deputetët e AAK-së kanë filluar përgatitjet.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj përmes një fotografie të postuar në Facebook, njoftoi se po përgatitet për dimrin.
“Po fillojmë përgatitjet për një dimër më të vështirë sesa herëve të tjera. Me mungesë të energjisë elektrike dhe rritje të çmimeve të produkteve esencial”, ka shkruar Lekaj.
Para Lekajt, edhe kolegu i tij deputet Besnik Tahiri, gjatë ditës së shtunë ka njoftuar se ka siguruar drutë.
“Qeveria aktuale nuk ka siguruar asnjë kontratë për energji duke i lënë kështu qytetarët në mëshirë të kohës. Në vend se të fokusohej në sigurimin e kontratave të leverdishme, ajo ka shpenzuar kohën dhe potencialin në përgatitjen e videove propagandistike. Kjo me qëllim të shpërqendrimit të opinionit nga sfidat dhe problemet reale. Madje në funksion të justifikimit të këtij dështimi, ajo ka prodhuar narracione të edukimit publik e qytetarë. Kjo me qëllim që kur të bien temperaturat, kur të rriten shpenzimet, kur të fillojnë reduktimet, kur të mungojnë blerjet dhe furnizimet me energji, si dhe kur të fluturojnë çmimet, ajo përtej fajësimit të opozitës do të fajësojë edhe qytetarët”, ka shkruar ai.








