Për herën e katërt radhazi ka dështuar mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së.

Kësaj radhe në mbledhje nuk ka pranuar të marr pjesë zv/drejtori i Intelegjencës Kosovare, Latif Merovci.

Ky i fundit do të duhej të raportonte në mungesë të Driton Gashit, i cila dha dorëheqje ditë më parë.

Zv/kryetarja e Komisionit, Ganimete Musliu në një paraqitje të shkurtër para mediave ka thënë se kjo është hera e katërt që AKI-ja nuk dëshiron të raportojë para komisionit.

“Sot e kishim mbledhjen. Është hera e katërt që ftojmë në komision për tu informuar për zhvillimet e fundit. Tanimë kur dihet që drejtori nuk e ushtron detyrën, kemi kërkuar në bazë të ligjit që në komision të vije zv/drejtori”, ka thënë Musliu.

Ajo ka paralajmëruar se si komision parlamentar do të ndërmarrin disa masa, të cilat ka bërë të ditur se do t’i bëjnë publike javën tjetër.

“Ai nuk erdhi për të raportuar. Dhe ne konstatojmë që si komision nuk jemi duke mundur ta zhvillojmë kontrollin demokratik mbi AKI-në. Do të mundohemi që në bazë të kompetencave të gjejmë rrugë për të funskionuar si komision dhe të marrim përgjigje nga institucionet përgjegjëse”, tha tutje Musliu.

Në letrën që zv/drejtori i AKI-së, Latif Merovci ua kishte drejtuar anëtarëve të Komisionit ka treguar edhe arsyet pse nuk ka pranuar të raportojë.

Po ju shkruaj në lidhje me ftesën e dërguar, me mirësjellje na lejoni që t’iu njoftojmë që për shkak të angazhimeve është e pamundur që të jemi në mbledhjen e Komisionit. Po ashtu kërkojmë që raportimi të shtyhet deri në qartësimin e pozicionit”, shkruante në letrën e dërguar para Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së.

Në këtë mbledhje, Merovci do të duhej të jepte detaje para deputetëve për aksionin për deportimin e shtetasve turq nga Kosova.