Lokale - eSIMy

N.H., është dënuar me 600 euro gjobë, për akuzën se në shtator të vitit të kaluar, në zyrat e objektit të Qendrës për Patentë Shofer në Gjilan, pas një mosmarrëveshje, ka kanosur zyrtarin e kësaj qendre A.A., si dhe punëtorin e sigurimit, N.H.

Aktgjykimi në fjalë i siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, është shpallur më 23 shkurt të këtij viti nga gjykatësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Rilind Sermaxhaj, pasi i akuzuari paraprakisht e kishte pranuar fjësinë.

Fillimisht, i akuzuari N.H., është dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv, por që me pëlqimin e tij ky dënim i është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumën prej 600 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, më 11 tetor 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj N.H., me arsyetimin se ai në shtator të po atij viti, në zyrat e objektit të Qendrës për Patentë Shofer në Gjilan, pas një mosmarrëveshje duke u nisur në drejtim dhe demonstruar edhe me gjeste seriozisht e ka kanosur zyrtarin e kësaj qendre, të dëmtuarit A.A., me fjalët “hajt se të tregoi ty, kem me pa ti Udbash” dhe punëtorin e sigurimit, të dëmtuarin N.H., me fjalët “Hajt se te zë ty, kah të shkosh prej shtëpie, e ka me të pre me sakicë”.

Sipas prokurorisë, i akuzuari gjithashtu në vazhdim i kanos të dëmtuarit me fjalët “Nëse e humbi punën ka me ju pre me sakicë”, dhe pas kësaj ai është arrestuar nga policia, me çka tek të dëmtuarit ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë për veten e tyre.

Me këtë, N.H., akuzohej se ka kryer veprën penale “Kanosja”, nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.