Vrasja në detyrë e një pjesëtari të Policisë së Kosovës gjatë një intervenimi për të kapur një të dyshuar për plaçkitje, ka ngritur sërish nevojën që institucionet e Kosovës të reflektojnë karshi gjendjes së pjesëtarëve të organeve të rendit.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka premtuar se institucionet e Kosovës do të ndërmarrin të gjitha veprimet për të mbrojtur Policinë e Kosovës. Haradinaj ka premtuar se në janar të vitit 2019, do të procedohen në Kuvendin e Kosovës, Projektligji për Sigurime Shëndetësore, Jetësore dhe Sigurime Pensionale për Policinë e Kosovës.

Gjatë një vizite që kryeministri Haradinaj i ka bërë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, ka thënë se nuk do të lejohet që kriminelët të vendosin ligjin në Kosovë.

Kurse, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj, ka thënë se premtimet e tilla janë mbështetje e madhe për Policinë e Kosovës

“Unë jam shumë krenar që të enjten në Istog, Policia e Kosovës ka arritur që t’i shpëtojë qytetarët dhe të intervenojë me kohë. Por, në të njëjtën kohë jemi shumë të pikëlluar se njëri nga policët tanë është qëlluar dhe më vonë ka vdekur. Por, besoj see ka kryer punën me heroizëm dhe ka bërë një punë madhështore në shërbim të qytetarëve. Është tragjike, por në të njëjtën kohë jemi edhe shumë krenarë”, ka thënë Qalaj.

Në nderim të policitë të vrarë, Izet Demaj, të shtunën në Kosovë do të jetë ditë zie, kurse Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndajë një shumë simbolike, prej 15 mijë eurosh për familjen e tij.

Ndryshe, që nga themelimi i Policisë së Kosovës, 19 vjet më parë, e deri më tani, 20 zyrtarë të saj kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës.

Rasti i parë është regjistruar në shtator të vitit 2001, ndërsa vrasja e fundit ka ndodhur të enjten në qytetin e Istogut, gjatë një shkëmbimi të shtënash me armë zjarri ndërmjet një personi të dyshuar për plaçkitje të bankës dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Kurse, 168 është numri i sulmeve ndaj personave zyrtarë në kryerje të detyrës. Në këto raste nuk hyjnë vetëm ato ndaj policëve, por edhe zyrtarëve tjerë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, ditë më parë ka thënë për Radion Evropa e Lirë numri i saktë i sulmeve ndaj kolegëve të tij, në detyrë, nuk dihet për shkak se klasifikimi i rasteve bëhet bazuar në nenin 410 të Kodit Penal, ku hyjnë edhe zyrtarët e institucioneve tjera.

Policia e Kosovësvazhdon të jetë një nga institucionet më të besueshme në sytë e qytetarëve, thuhet në një raport të Qendrës për Studime të Sigurisë, publikuar muajin e kaluar në Kosovë. Në raportin e quajtur “Barometri Kosovar i Sigurisë”, thuhet se më shumë se gjysma e të anketuarve ose 61 për qind janë shprehur se i besojnë Policisë së Kosovës.

Pavarësisht kësaj, policët në Kosovë vazhdojnë të punojnëpa sigurim shëndetësor dhe jetësor.

Kërkesa për sigurim shëndetësor dhe aksidental për Policinë e Kosovës është e kamotshme ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, Shaban Tasholli, nënkryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës.

Ai ka thënë se të gjitha rastet deri më tash, sikur edhe rasti tragjik i së premtes, janë dëshmi e fuqishme se urgjentisht, pa humbur kohë, institucionet e vendit ta zgjidhin këtë çështje kruciale, jetike për punonjësit e Policisë së Kosovës.

“Fatkeqësisht, vetëm në momentet kur po kemi ndonjë fatkeqësi, siç patëm rastin më herët me dy policët që humbën jetën në Kaçanik, edhe në rastin e të premtes, që ishte shumë tragjik, qeveritarët po reflektojnë. Të gjitha institucionet edhe presidenti, kryeparlamentari, kryeministri dhe të gjithë me radhë. Mirëpo, shpresojmë që mos të kemi më premtime, por të ketë realizime sa më të shpejta”, ka thënë Tasholli për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, përveç mungesës së sigurimeve shëndetësore dhe jetësore, deri më tani pagën bazë e kanë marrë 330 euro në muaj, kurse me Ligjin e ri, i cili pritet të fillojë së zbatuari nga janari i vitit 2019, pritet që paga bazë për Policinë e Kosovës të jetë 520 euro në muaj.

Lidhur më vrasjen e policit Izet Demaj, ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Neriut (KMDLNJ). Në një komunikatë për media “Këshilli kërkon nga Qeveria e Kosovës të ndërmarrë urgjentisht masat për përmirësimin e kushteve për Policinë e Kosovës, e sidomos që t’iu garantojë sigurimet shëndetësore e që i kanë shumë kompani në Kosovë, ndonëse nuk i ekspozohen asnjë rreziku”, thuhet në komunikatë .