Të hënën, Qeveria ka marrë vendim që lokalet e gastronomisë të shërbejnë edhe ujë nga çezma për klientët.

Ndaj kësaj duke ironizuar ka reaguar deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.

Përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, Deliu ka thënë se nga qeveria e PDK-së që ndërtonte autostrada, shkolla, spitale e rriste rroga, Kosova ka rënë në Qeverinë e Albin Kurtit që merr vendim që lokalet të shërbejnë ujë.

Ndërkaq, sipas vendimit të fundit të Qeverisë, objektet e gastronomisë duhet të pajisen me certifikatë të cilësisë së ujit nga Institutit i Shëndetësisë Publike dhe ta ekspozojnë atë në lokale.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, tha se e gjitha kjo po bëhet që qytetarët të kenë ujë të shëndetshëm dhe të sigurt për pije.

“Me qëllim që të vendosim standardet normative të ujit për konsum njerëzor dhe në mënyrë që të mbrohet shëndeti i njerëzve që uji të jetë i pastër dhe i shëndetshëm në objektet e gastronomisë: në rastet kur objektet e gastronomisë furnizohet nga ujësjellësi publik, pronari i objektit nuk mund t‘iu ndalojë qytetarëve që të furnizohen me ujë nga rubineti”.