Ambasada Amerikane në Kosovë, në kuadër të programit të zyrës “Amerika me Kosovën” (America ëith Kosovo) dhe aktiviteteve në kuadër të “këndit amerikan”, ka organizuar sot në sallën “Hakif Zejnullahu” në Podujevë fushatën informuese-sensibilizuese për nxënësit e gjimnazit “Aleksandër Xhuvani”, njofton Zyra për Informim në Komunën e Podujevës, përcjell Llapi.info

Në hapje të kësaj fushate, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, tha se aktivitetet si ky tregojnë se sa shumë veprime domethënëse mund të bëhen në sensibilizimin, parandalimin dhe luftën kundër aktiviteteve të paligjshme, por edhe në promovimin e marrëdhënieve të mira ndërnjerëzore dhe ndëretnike, në arsimim dhe zhvillim profesional, si dhe në vetëdijësimin dhe mundësitë e marrjes së këshillave dhe ndihmës juridike falas.

Ai u shpreh mirënjohëse për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë, përkrahjen e projekteve të përbashkëta me USAID-in, ICITAP dhe Departamentin e Drejtësisë së SHBA-së.

“Vetë prania e ambasadorit në këtë aktivitet tregon përkushtimin e shtetit Amerikan dhe angazhimin personal të ambasadorit në forcimin, mbështetjen dhe avancimin e miqësisë së përhershme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën, miqësi kjo e dëshmuar sa e sa herë, si dhe në luftën e përbashkët kundër ekstremizmit të dhunshëm, krimit të organizuar, korrupsionit dhe forcimit të institucioneve të shtetit të Kosovës për sundimin e rendit dhe ligjit”, ka shtuar Veliu.

Veliu bëri të ditur se rezultatet e hulumtimit të Projektit “Amerika me Kosovën”, të dala nga pyetësori i realizuar në Gjimnazin “Aleksandër Xhuvani” tregojnë se nxënësit në përgjithësi janë të informuar për temat që kanë qenë subjekt i hulumtimit, por se ka nevojë të punohet edhe më në parandalimin e ekspozimit ndaj rreziqeve që bartin këto aktivitete të rrezikshme kriminale.

Nga ana tjetër, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delaëie, tha se ndjehet i lumtur që sot gjendet në mesin e nxënësve të Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” për të folur për sfidat që i presin dhe rrugën e tyre të shkollimit si dhe rreziqet nga forma të ndryshme të ekstremizmit.

Ai tha se një fushatë e këtillë është organizuare dhe në disa komuna të tjera dhe se është i kënaqur që edhe gjimnazi i Podujevës është pjesë e këtij projekti.

“Ju jeni udhëheqësit e ardhshëm të Kosovës dhe disa prej sfidave dhe çështjeve që diskutohen vijnë pikërisht prej jush. Që të arrini synimet tuaja është esenciale që të kryeni shkollimin në mënyrë që të vazhdoni me zhvillimin tuaj”, ka thënë Delaëie, përcjell Llapi.info

Ai tha se vetëm me edukim cilësor të rinjtë mund të kontribuojnë në zhvillimin e vendit të tyre, Kosovës.

Në kuadër të fushatës informuese-sensibilizuese që u mbajt sot, nxënësit e Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani”, kanë marrë informacione nga fusha të ndryshme nga përfaqësues të Departamentit të Drejtësisë dhe të Departamentit të Diplomacisë të Ambasadës Amerikane, Inspektoratit Policor të Kosovës, Organizatës për Ndihmë Juridike, SHPK-së, FSK-së, Stacionit Policor në Podujevë, KVRL, Ekipet Vepruese për Siguri në Bashkësi, Qendra Rinore dhe organizata të tjera jo qeveritare./Llapi.info