Në konventën e mbajtur sot, Partia Guxo ka zgjedhur kryetarin e kësaj dege në komunën e Podujevës, shkruan Llapi.info.
Kryetar i Partisë Guxo në Podujevë është zgjedhur Shuajb Blakçori. Ky i fundit është deklaruar me anë të një postimi në Facebook, duke shtuar se do të angazhohet në zgjerimin e kësaj partie.
“Me këtë rast, përveç nderimit dhe mirënjohjes ndaj jush, të cilët u pajtuat, që unë, Shuajb Blakçori, të udhëheq me Partinë GUXO në Llap, zotohem se do të punoj dhe do të angazhohem fuqishëm për zgjerimin dhe fuqizimin e degës, bashkë me bashkëpunëtorë dhe me të gjithë ata që duan dhe guxojnë të punojnë për të mirën dhe për të ardhmen e vendit”, shkruan ai pos tjerash./Llapi.info.
Postimi i tij i plotë pa ndërhyrje:
…gjithçka, në çdo rrethanë merr fund, vetëm atëherë kur mungon vullneti, motivi dhe guximi për t’u përballur…
Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinjë, ju aktivist të hershëm të qështjes kombëtare, profesorë, ju anëtar të Partisë Guxo, të nderuar të pranishëm.
E nderuara zv.kryeministre dhe minstre e punëve të jashtme znj.Donika Gërvalla, i nderuari ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural z.Faton Peci, të nderuar deputet znj.Jeta Statovci,zv.minister i punëve të brendshme z.Blerim Gashani.
Faleminderit për prezencen tuaj për të n’a uruar kuvendin tonë themelues me një fjalë rasti kryetar i Komunës së Podujevës z.Shpejtim Bulliqi.
Një rilindje kombëtare të re ashtu siq e quaj unë, të nisur nga shkëlqësia e saj tashmë presidente e vendit zonja Vjosa Osmani në ditët më të rënda të pasluftës, kur vendit tonë po i mbylleshin dyert nga e gjithë bota, dhe populli ynë po vuante nga një histeri 15 vjeçare në pah doli zonja e hekurt e shumë e çmuar e kombit tonë, një grua atëdhetare e guximshme që të niste ndryshimin që një popull i tërë po e priste.
14 shkurti duhet të shkruhet si datë historike kur ndryshimet në shtetin tonë të filluar nga presidentja Vjosa Osmani e kryeministër Albin Kurti për të vazhduar guximtarët e rinjë, ju të cilët jeni sot këtu, ata larg nesh, dhe brezat e rinjë që do të vijnë pas nesh.
Andaj nga ky vend ku jemi mbledhur sot, shkëlqësisë së saj presidentës së republikës së Kosovës zonjës Vjosa Osmani i dërgojmë urimet më të mira, duke i uruar shëndet dhe punë të mbarë e duke i treguar se rruga e filluar nga ajo po trasohet në mënyrë të drejtë dhe se hapat e saj janë çelës i suksesit tonë.
Duke u nisur nga kjo themi lirisht dhe me zë të lartë se ne e kemi vullnetin, motivin dhe guximin, dhe është mëse e dijshme dhe shumë evidente, dhe këtë na e ka treguar më së miri analogjia politike e rrjedhës së ngjarjeve të shtetformimit, kurdo, kudo dhe sido nëpër botë; se gjithçka e mirë dhe e mbarë në një shoqëri moderne, fillon në kohën kur njerëzit dhe përfaqësuesit e asaj shoqërie kanë guximin për të bërë progresin historik dhe jo vetëm, kanë edhe guximin për të shtyer përpara progresin, pavarësisht faktorëve të tjerë pengues.
Ne jemi këtu, përballë njeri tjetrit…sepse, ne guxojmë për të qëndruar në këmbë, ballëlartë dhe të paepur, për të bërë të mundur atë që deri sot dukej e pamundur, për të zhvilluar vendin tonë, për ta bërë një vend të jetueshëm për të gjithë.
Të nderuar të pranishëm:
Ndodhitë politike të pasluftës, ato që ndodhën pas Pavarësisë së Republikës të Kosovës dhe këto që janë aktuale sot, e që nuk janë pak, tregojnë shumë qartë se procesi i shtetformimit nuk mund të përmbyllet me një, dy apo tri dekada.
Madje, të gjitha këto zhvillime politike për këto vite, tregojnë se Republika e Kosovës akoma qëndron mbi një sistem politik, i cili është i lënduar rëndë dhe kësi soji është i paqëndrueshëm; si pasojë e nepotizmit, keqpërdorimit dhe korrupsionit në të gjitha segmentet e tij.
Duke pasur parasysh këtë, ne mund të vërejmë pa më të voglin dyshim se ky sistem politik i dominuar nga shtresa politike e stërvjetruar, vendimet e të cilës politikë deri më sot kanë qenë inkriminuese, kanë vazhduar dhe vazhdojnë të pengojnë dhe të stagnojnë të gjitha proceset që natyrshëm do të mundësonin zhvillimin normal të shtetformimit të Kosovës, për të bërë një Kosovë, vendin më të dashur për qytetarët e saj.
E gjersa përmendim pasojat, duke filluar nga ato politike, ekonomike e çka jo tjetër, nuk është e mjaftueshme t’i themi e as t’i përsërisim, për shkak se janë të dijshme për secilin, sepse kanë prekur në jetën e secilit prej nesh.
Ndërsa, nepotizmi, keqpërdorimi dhe korrupsioni janë rrënues të sistemit politik, kultivimi i demokracisë, kulturës politike dhe shtetit ligjor, avancon sistemin politik dhe njëkohësisht e rigjeneron atë, duke hapur rrugë për reforma dhe zhvillime të reja, në të mirën dhe për dinjitetin e secilit.
Kjo është rruga jonë…
Kjo është rruga e njerëzve të rinj, që nën ombrellën e GUXO, jo vetëm se guxojnë, por edhe mundin dhe dinë që të bëjnë ndryshimin e duhur në kohën e duhur.
Kjo u dëshmua në zgjedhjet e fundit parlamentare, ku GUXO fitoi 7 ulëse në Kuvendin e Republikës të Kosovës, duke na bindur se vetë qytetarët e këtij vendi janë të hapur dhe kanë përqafuar frymën dhe idealet të cilat i përfaqësojnë njerëzit në GUXO.
Madje, nëpërmjet GUXO, u bë i mundur ndryshimi që qytetarët e Republikës të Kosovës e kishin pritur për mëse 15 vite.
Përderisa, gjatë kësaj kohe, politike e vendit ishte e ngulfatur me njerëz të zakonshëm për nga të bërit politikë, Partia Guxo nuk është vetëm risi apo mundësi e re politike për politikëbërje dhe vendimmarrje politike, por është edhe një arenë e re, e stërmbushur me njerëz të rinj, të gatshëm për të shkrirë gjithë njohjet dhe dijet e tyre në dobit të një sistemi të qëndrueshëm politik, pergjegjës dhe funksional, për të ofruar zgjidhje për problemet politike, ekonomike dhe për ato probleme që janë akoma mëse prezente në arsim, shëndetësi e kudo tjetër.
Zonja dhe zotërinj:
Sot, ne këtu jemi mbledhur për të kryer një proces zgjedhor, të lirë, fer dhe mbi premisa të qarta demokratike, në bazë të së cilit jemi privilegjuar, por më shumë se kaq jemi të ngarkuar me përgjegjësi, nga të cilat pergjëgjësi rrjedhin edhe obligimet tona, jo vetëm ndaj vetës tonë dhe njerëzve të shkëlqyer të kësaj shoqërie, por edhe ndaj atyre që do të vinë pas nesh, dhe se kush mund të jenë dhe çfarë mund të kenë ata, mund të vihet në peshore vetëm nga puna, përkushtimi dhe vendosshmëria ynë për të dhënë gjithë forcën, potencialin dhe dijen tonë në shërbim të Republikës dhe popullit të saj, për një Kosovë të dinjitetshme dhe të ëndërruar kaherë.
Duke qenë në krye të degës, nuk do të drejtoj njeri, por do të drejtohemi drejt asaj për të cilën jemi zgjedhur, bashkarisht.
Me këtë rast, përveç nderimit dhe mirënjohjes ndaj jush, të cilët u pajtuat, që unë, Shuajb Blakçori, të udhëheq me Partinë GUXO në Llap, zotohem se do të punoj dhe do të angazhohem fuqishëm për zgjerimin dhe fuqizimin e degës, bashkë me bashkëpunëtorë dhe me të gjithë ata që duan dhe guxojnë të punojnë për të mirën dhe për të ardhmen e vendit.
E ardhmja është e atyre që guxojnë.
Sinqerisht, i juaji Shuajb Blakçori.
Falemnderit shumë!