Prishtinë – E akuzuara për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, Tiranë Hasani u deklarua e pafajshme. Avokati i mbrojtjes kërkoi që i dëmtuari-dëshmitarë Skender Berisha të jetë i pranishëm në seanca gjyqësore dhe të bëhet ballafaqimi i ekspertizave.

“Unë kisha thanë me shku me prova, nëse ka nevojë me dal në vendngjarje, me u ba ballafaqimi i ekspertëve, e jo mu bazu në raportin e policisë që është i manipulum, është i falsifikum 100%, prej vendit të ngjarjes Skender Berisha ka ik, kisha desht me i parashtru pytje atij” – u shpreh  avokati i palës mbrojtëse Shefqet Hasimi.

Avokati i mbrojtjes Hasimi, propozoi që të thirret në ballafaqim grupi i ekspertëve të fakultetit teknik dhe eksperti Nol Dedaj i cili ka punuar ekspertizën nga vendi i ngjarjes, gjithashtu të lexohet si provë dëshmia që e kanë sjellë prej inspektoratit policor për dëshmitarin Xhafer Zeneli.

Përveç këtyre ka propozuar të thirret edhe Skender Berisha nga vendi jashtë Kosovës ku ai gjendet, që  të merret në pyetje, ashtu që të mund të arrihet te e vërteta.

Për sa i përket këtij propozimi, prokurori i shtetit Menduhi Kastrati e kundërshtoi propozimin për ballafaqim të ekspertëve, ndërsa e pranoi propozimin për sjelljen e Skender Berishës në shqyrtim gjyqësorë.

Pas këtij kundërshtimi nga prokurori Kastatri, avokati i mbrojtjes Hasimi kërkoi të bëjë replikë.

“Përderisa e kom raportin e policisë, që e parasheh vinë e plotë, thotë që nuk ka të drejtë mu kthy aty, nga skica e bërë kur kam dalë na vendngjarje shihet se për 90 shkallë ai ka bërë rrotullim, ka dal prej rrugës, u kthy për Prishtinë e pastaj e ka goditë. Atëherë pse mos me qenë i nevojshëm ballafaqimi i ekspertëve”, tha avokati Hasimi.

Lidhur me propozimin e palëve,  gjykatësja e rastit Edita Çanta e aprovoi propozimin e avokatit të mbrojtjes Hasimi, urdhëroi që të ftohet i dëmtuari Skender Berisha dhe të dëgjohet në cilësi të dëshmitarit. Të ftohet eksperti Nol Dedaj si dhe të ftohet njëri nga anëtaret e hartimit të supereksperizës të ekspertëve të fakultetit teknik.

Ndryshe, e akuzuara Tiranë Hasimi u deklarua e pafajshme për veprën penale për të cilën ngarkohet.

Seanca e radhës  do mbahet me datë 27 maj ora 10:30.

Sipas aktakuzës së ngritur me datë 18 shkurt 2016, Tiranë Hasimi po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë se me datë 23 gusht 2014, rreth orës 15:30 minuta, në magjistralen Prishtinë-Podujevë, në fshatin Bërnicë, duke drejtuar automjetin e markës “Seat Ibiza” nga pakujdesia ka shkaktuar aksident trafiku, në atë mënyrë që duke lëvizur nga rruga dytësore në fshatin Bërnicë, ku ka arritur në udhëkryq, me qëllim të kyçës në drejtim të Prishtinës, duke mos respektuar të drejtën e përparësisë së kalimit, ndërmerrë veprimin e kyçjës majtas, pa u bindur paraprakisht se atë veprim mund ta ndërmarrë pa i rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion, duke shkelur rregullat e komunikacionit nga neni 61 dhe 64 të LSKRR.

Më tutje, në bazë të aktakuzës me të arritur me automjetin e saj deri te mesi i shiritit të majtë rrugor e ka goditur automjetin e markës “Opel Meriva, i cili ishte duke lëvizur nga drejtimi i Prishtinës në Podujevë, të cilin e drejtonte tani I dëmtuari Skender Berisha.

Sipas aktakuzës pas goditjes, automjeti i të akuzuarës është kthyer, me ç ‘rast është shkaktuar dëm i konsiderueshëm material dhe lëndime të rënda trupore te e akuzuara Tiranë Hasimi si dhe te pasagjerja në automjetin e saj Gjevrije Hasimi, kurse te i dëmtuari Skender Berisha dhe pasagjerja në automjetin e të akuzuarës Miradije Jonuzi janë shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Për këtë, Tiranë Hasimi po akuzohet se ka kryer veprën penale Rrezikim i Trafikut Publik nga neni 378 par.8 lidhur me par.6 të KPRK-së