Lokale - eSIMy

Situata Ukrainë-Rusi ka shtrirë ndikim frike edhe në Evropë e rajon. Kryeministri Albin Kurti e presidentja Vjosa Osmani gjatë gjithë kohës po dalin me deklarata se sa rrezikohet edhe Kosova nga ndikimi rus, përmes Serbisë. Periskopi ka pyetur deputetin e AAK’së, Bekë Berishën se çka mendon për komentet e shpeshta të krerëve të shtetit për luftë, të cilat pa dyshim që po përhapin edhe panikë tek populli…

Berisha nuk ka dashur të flasë shumë, megjithatë i tha një dy fjalë.

“Vet i kemi zgjedhë. Ata po shihet se nuk janë në ngjarje për kurgjo, nuk ma merr menja që ata janë ka dijnë se çka janë ka thonë”, ishte deklarata e deputetit të AAK’së, për Periskopin.

Kosova është në rrezik. Rajoni është në rrezik. Ballkani në rrezik, Evropa në rrezik. Bota në rrezik. Këto janë fjalët më të shpeshta që kemi dëgjuar përgjatë krejt javës nga ana e kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani. Situata e luftës dhe agresionit rus në Ukrainë ka hapur plagët e luftës edhe në Kosovë, ndërkohë e gjithë bota është kthyer me vëmendje kah këto dy shtete.

Periskopi ju sjell një përmbledhje të deklaratave të tyre:

Osmani: Tirani Putin i ka kthetrat të ngulitura fort në rajonin tonë, përmes Serbisë

“Zbutja e autokratëve sot vetëm i trimëron nesër. Koncesionet ndaj tiranëve nuk janë kurrë të përkohshme dhe sigurisht nuk sjellin kurrë paqe të qëndrueshme. Kontinenti evropian është në krizë, sepse Vladimir Putin e ka shkatërruar sovranitetin e Ukrainës në atë masë sa sot ai mohon integritetin e saj territorial dhe të drejtën e saj për të ekzistuar. Presidenti i Rusisë ndjek një politikë të rrezikshme imperialiste që lejon një vend të zgjedhë fatin e një tjetri, thjesht sepse ka fuqinë ushtarake”, ka thënë këtë javë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një opinion për gazetën britanike “The Economist”.

Kurti: Putini despotik synon konflikte të reja, edhe Kosova e rrezikuar

“Presidenti despotik rus po e kërkon një konferencë të re të Jaltës. Për këtë është e nevojshme lufta dhe këtë e bëri, por për këtë është e nevojshme edhe zgjerimi i konfliktit edhe jashtë Ukrainës, e këtë nuk e ka bërë ende. Përshtypja ime është që Putini dëshiron që të ulet në tryezë të negociatave me presidentin amerikan Biden e jo me presidentin ukrainas Zelensky. Synimi i tij është një konferencë e re e Jaltës, Jalta 2, me ç’rast do të ndaheshin sferat e interesit dhe në këtë mënyrë Federata ruse do të synonte të kompensohej për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Prandaj, meqë ata do të synojnë edhe konflikte të reja, Ballkani Perëndimor në përgjithësi, e posaçërisht Kosova janë të rrezikuar”, tha Kurti këtë javë për AFP-në.

Osmani: Me agresionin e paprovokuar rus ndaj Ukrainës, siguria në Evropë është kritike

Presidentja në një takim me kancelarin austriak ka theksuar se me agresionin e paprovokuar rus ndaj Ukrainës, siguria në Evropë është kritike. Presidentja Osmani tutje theksoi se unifikimi i Bashkimit Evropian kundër agresionit rus ndaj Ukrainës duhet të përcillet me veprime të unifikuara të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor për të përshpejtuar anëtarësimin e shteteve të rajonit në BE.

Kurti: Kosova është në rrezik

Në 6 shtete të njohura si “Gjashtëshja Ballkanike” (Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia), është një “luftë hibride” në të cilën aktorë të ndryshëm nën ndikimin dhe kontrollin e Moskës përpiqen të përhapin hegjemoninë ruse”. Kryeministri Kurti duke paralajmëruar se Beogradi dhe serbët në Bosnje mund të përdorin Kremlinin për të përhapur konfliktin në rajon, ndërsa përsëriti kërkesën e vendit të tij për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO.

Kurti: Serbia ka mbi 40 baza ushtarake në kufi me Kosovën, por s’kemi frikë – këtu e kemi NATO-n

“Nuk kemi frikë, por jemi shumë vigjilentë. Serbia ka më shumë se 40 baza ushtarake në kufirin me Kosovën. Por ne kemi NATO-n në vend, edhe nëse nuk jemi anëtarë të saj, dhe kemi BE-në. Me partnerët tanë perëndimorë, ne e shikojmë të ardhmen me shpresë”, ka thënë Kurti për Blick.

Vjosa Osmani: Jemi të shqetësuar se lufta mund të përhapet edhe në Ballkanin Perëndimor

” Edhe ne vetë kemi qenë viktima të krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit nga regjimi i Millosheviçit i cili nuk njihte asnjë rregull, ligj ndërkombëtar dhe të drejtë ndërkombëtare të njeriut. Si pasojë edhe ne kemi qenë refugjatë. Prandaj, ne mund ta kuptojmë atë çka ndien Ukraina”, u shpreh Osmani.

Kurti: Putin po do të ulet në tavolinë jo me Zelenskyn, por me Bidenin – Kam frikë që do ta shpërndajë luftën

‘’Putin po do të ulet në negociata jo me Zelensky por me Biden. Një lloj konference të re, unë kam drojën që do ta intensifikojë luftën në Ukrainë por edhe ta shpërndajë atë diku tjetër. Ai s’mund të ndalet dot në tryezën e degociatave vetëm me invazionin në Ukrainë. Jemi të brengosur por nuk jemi te frikësuar’’, tha ai.

Lufta, sanksionet, harmonizimi tutje i raporteve – Çka foli Kurti me delegacionin e Shtëpisë së Bardhë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ka pritur në zyrën e tij një delegacion nga Shtëpia e Bardhë, i kryesuar nga Elizabeth Shwerood-Randall, asistente e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, për Siguri Kombëtare. Në këtë takim është biseduar për agresionin rus në Ukrainë dhe situatën e re politikë të krijuar. Siç njofton zyra për media e kryeministrisë, është diskutuar edhe për nevojën për kujdes të shtuar për rajonin./PERISKOPI/