Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka deklaruar se muaji tetor do të jetë muaji kur në Kosovë do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme.

Deda thotë se që nga muaji qershor janë siguruar votat e nevojshme për ta rrëzuar qeverinë Haradinaj, dhe thotë se me të përfunduar zgjedhjet e brendshme në LDK, do të procedohet mocioni në Kuvend.

Për rrëzimin e qeverisë, sipas deputetit Deda, nuk do të jenë determinuese votat e Listës Serbe, pasi që siç tha ai edhe pa këtë parti politike, tashmë janë siguruar mbi 61 deputetë që do votojnë pro rrëzimin të kësaj qeverie.

“Po ka. Unë shpresoj që në tetor do të mbahen zgjedhjet e reja. Tashmë janë më shumë se 61 deputetë që do të votojnë pro mocionit të rrëzimit të qeverisë. Ky numër ekziston nga qershori, dhe sapo të kryhen zgjedhjet në LDK, do të procedohet mocioni në Kuvend. Pa Listën Serbe janë më shumë se 61 deputetë, kështu që votat e Listës Serbe nuk do të jenë përcaktuese për rrëzimin e qeverisë”, tha Deda në një bisedë për Gazeta Blic.

Po ashtu, Ilir Deda thotë se ai ka biseduar me disa politikanë opozitarë, për të formuar një koalicion parazgjedhor mes partive që tashmë janë në opozitë.

Deda thotë se në momentin kur do përfundojnë zgjedhjet në LDK, do të ulen për të parë mundësinë që kjo parti së bashku me partitë tjera në opozitë, të pajtohen për një front të përbashkët në zgjedhje.

“Unë jam idhtar i krijimit të një liste të përbashkët e të gjitha partive politike opozitare, që do dilnim me një program të përbashkët. Kam pasur biseda edhe me partitë opozitare, te shohim deri në përfundimin e zgjedhjeve brenda LDK-së dhe do të ulemi dhe do të flasim”.

Deda tregoi se edhe më tutje është pjesë e partisë “Alternativa”, e cila udhëhiqet nga Mimoza Kusari-lila.

“Po, ende jam pjesë pjesë e Alternativës”.

Kurse, sa i përket qeverisë Haradinaj, Deda tha se ajo është qeveri e skandaleve, duke shtuar se ikja e të rinjëve drejt vendeve perëndimore tregon qartë për gjendjen në të cilën tashmë është vendi.

“Qeverinë Haradinaj e shoh si një qeveri e cila duhet të shkojë në shtëpi sa më shpejt që është e mundur. Qeveria PAN del në fund që është njëra prej qeverive më të këqija që e ka pasur Republika e Kosovës. Skandalet e saj janë të përditshme. Përpos skandaleve, edhe kualiteti i qeverisjes është jashtëzakonisht e dobët. Nuk është shtruar fare baza e zhvillimit ekonomik. Në një kohë kur merr hov migrimi i qytetarëve, atëherë matet edhe qeverisja”.

Kërkesa e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, për formimin e një Komisioni Hetimor për numrin e madh të veteranëve, sipas Ilir Dedës, është e pasinqertë.

Madje, ai thotë se ky veprim është një trik i PDK-së, teksa thotë se “po të dëshironte Kadri Veseli t’i shihte të pastruara listat e veternëve, nuk do të duartrokitke në momentin kur është larguar Elez Blakaj”.

Deda shton se për këtë çështje Kosovës nuk i duhet asnjë komision, por “procedim i të gjeturave që i ka bërë ish-prokurori Elez Blakaj”.

“Ky është një trik i PDK-së, sepse po të ishin të sinqert në këtë aspekt, nuk do të duartrokitnin kur prokurori Blakajt, u desh ta lëshojë Kosovën. Mos të harrojmë që ishte dhe zotëri Veseli ai që e sulmoi prokurori Blakaj kur ai doli me të dhëna zyrtare për fryerjen e listave. E pastaj ai doli edhe tha që të gjithë kemi marrë pjesë në fryerjen e listës. S’kemi nevojë që të formohet asnjë komision. Prokurori Blakaj ka dalur me shifra dhe të dhëna zyrtare. Ajo cka duhet të bëhet është që të procedohen të gjeturat e prokurorit Blakaj”.

Kurse, për presidentin Thaçi, Deda thotë se tashmë ai nuk është relevant në aktualitetin e sotëm politik. Kjo për shkak se sipas Dedës, në momentin kur Gjykata Kushtetuese ka vendosur që në dialogun Kosovë-Serbi, presidenti s’ka asnjë rol tjetër përveç atij këshillues.

Me këtë vendim, siç thotë Deda, presidenti Thaçi tashmë ka humbur rolin e tij, teksa thotë se Kosova duhet t’i bëjë kërkesë BE-së që “në takimet e radhës të dialogut të mos ftohet më presidenti Thaçi, por përfaqësuesit e qeverisë, ashtu siç është edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese”.