Deputeti i AAK-,së njëherësh ish-pjesëtarë i UÇK-së, Daut Haradinaj ka reaguar pas aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar që u paraqiten tek Dhomat e Specializuara të Kosovës për presidentin e vendit, Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Haradinaj tha se kjo aktakuzë është puro-politike, por që beson se Thaçi e Veseli do t’ia dalin mbarë kësaj beteje dhe do të jenë edhe më të fortë se që ishin.

“Lajm tepër i keq, por gjithsesi është e paqartë pasi s’kemi dëgju najhere që Prokuroria të publikojë aktakuzën para se të konfirmohet nga Gjykata paraprake. Është për tu shqetësu edhe në kohën kur publikohet kjo aktakuzë, jo vetëm për Thaçin-Veselin por s’është praktikë e njohur në drejtësinë ndërkombëtar, është puro politike ku aktakuza pretendon të bëjë paraprakisht gjykim publik. Gjykata është politike për mendimin tim politik, por ne si Kosovë kur publikohet edhe dihet fakti se ishte paraparë për të shtunën një takim në mes Serbisë dhe Kosovë në Shtëpinë e Bardhë ku mendojmë se buron liria e Kosovës. Mendoj se është puro politike dhe tendencioze”, tha Haradinaj, shkruan Indeksonline.

Tutje ai tha se në Kosovë ka edhe njerëz që ndoshta mund t’i jenë gëzuar kësaj aktakuze, por që nuk është aspak e hijshme.

“Mendoj se miqtë e mi do t’ia dalin mbanë kësaj beteje dhe do të jenë edhe më të fortë se që ishin. Gjithmonë ka pas dhe do të ketë zëvendës të Millosheviqit në Kosovë, por Kosovën s’do ta kthejnë prapa. Do të ishte mirë që ata të shkonin me Millosheviqin me kohë, por ne e kemi Kosovën e lirë”, tha ai.