Të shtënat me armë në ahengjet në Kosovë janë dukuri e shpeshtë, të cilat përveç se janë të kundërligjshme, shumë herë janë edhe të rrezikshme. Ka disa raste kur nga të shtënat festive, kanë pësuar edhe me jetë qytetarët e pafajshëm, madje edhe ata që nuk ishin pjesë e ahengjeve

Pavarësisht kësaj, kosovarët po vazhdojnë të shprehin gëzimin e tyre duke festuar me armë, edhe pse shumë prej tyre po përfundojnë në Polici si të dyshuar, raporton Gazeta Sinjali.

Për një rast të tillë, që ka ndodhur mbrëmë në Runik të Skenderajt, ka nisur hetimet Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Sinjali mëson se fillimisht Policia ka marrë informacionet nga disa qytetarë se janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri në një aheng familjar, me ç’rast njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë takuar personin e dyshuar.

Burimet thonë se bëhet fjalë për një 32-vjeçar, i cili është arrestuar në vendin e ngjarjes, ku me rastin e kontrollit policor, iu gjet arma e zjarrit, që dyshohet të jetë përdorur në rast.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve në drejtim të veprave penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.