Lokale - eSIMy

Mjaftuan pak orë që disa nga kompanitë e derivateve, ta shtrenjtojnë çmimin e naftës në rreth 10 cent më shumë se që ishte, raporton Llapi.info.

”Shell”, “IP Petrol”, “HIB Petrol” dhe “Exfis”, janë disa nga kompani të mëdha që merren me shitje të produkteve të derivateve, të cilat kanë rritur çmimin e tyre, deri në mbi 1 euro e 70 cent.

Sot në Podujevë, në pikat e “Shell”, një litër naftë kushton 1.69€, teksa në “HIB Petrol” – 1.68€.

Por, këto çmime kanë dallim nga kompanitë më të vogla që merren me shitjen e derivateve.

1.58 sillet çmimi i një litri naftë në “Veda”, “Malësia Petrol” dhe shumë kompani tjera, e që kryesisht janë llapjane.

Këtij dallimi mes 10 cent në litër mes pikave të shitjes së karburantëve në Podujevë, nuk i ka dhënë askush shpjegim.

Mirëpo, një gjë e dimë, e ajo është që sipas raportimeve nga mediet prestigjioze botërore, çmimi i naftës botërore ka rënë, e që çuditërisht në Kosovë u rrit.

Se çmimi në tregjet botërore ka rënë e konfirmoi dje edhe Ministria e Tregtisë.

Kjo ministri që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, paralajmëroi masa ndaj kompanive që abuzojnë me çmime të derivateve.

Pritet të shihet se cilat do të jenë masat ndaj tyre, normalisht nëse do të ketë.