Lokale - eSIMy

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq është ankuar se është ende e paqartë nëse Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara më 7 shkurt do të diskutojë mbi Kosovën.

SHBA, Britania e Madhe, Gjermania dhe Polonia janë fuqishëm kundër që raporti tremujor i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Kosovën të jetë në rend të ditës në mbledhjen e ardhshme, ka thënë Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq.

Ai gjatë një konference për media ka thënë se për herë të parë në Këshillin e Sigurimit në OKB nuk është caktuar rendi i ditës, e që sipas tij është joserioze për një organizatë të tillë, transmeton lajmi.net.

Daçiq ka thënë se mbledhja në të cilën do të diskutohej për raportin për Kosovën është shtyrë për datën 7 shkurt, por ende nuk është e qartë nëse do të bëhet fjalë për Kosovën, sepse vetëm në atë ditë do të caktohet rendi i ditës.

“Vështirë se mund t’i mbledhim nëntë vota që ajo të jetë në rendin e ditës, pasi nuk ka veto. Por, as ata nuk mund t’i mbledhin nëntë vota që të mos jetë”, u shpreh ai.

“Është joserioze për një organizatë e cila pretendon se udhëheq botën”, theksoi Daçiq.