Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq thotë se SHBA-të kanë shprehur gatishmërinë për të organizuar një ceremoni për të nënshkruar marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për ‘Politika’, ministri serb u pyet nëse do të ketë ndonjë rezolutë tjetër që në Këshillin e Sigurimit do ta zëvendësonte rezolutën 1244 dhe se nëse mund të bëhet para se të ndryshohet Kushtetuta e Serbisë.

Daçiq u shpreh se një rezolutë e re që do të zëvendësonte ‘1244’ do të bëhet vetëm kur të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, transmeton Indeksonline.

“Ndryshimi i Kushtetutës është çështje e brendshme e Serbisë. Në këtë pikë ne nuk e dimë se nëse do të merremi më këtë çështje në vitin 2019”, u shpreh ministri serb.

Ivica Daçiq foli edhe për dialogun ku ritheksoi se duhet të tërhiqet taksa për të vazhduar tutje.

“Në tërësi situata nuk është një perspektivë që mund të presim një dialog të suksesshëm vitin e ardhshëm”, tha Daçiq.