Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka thënë se është i gatshëm t’i bartë “pasojat për punën time”, nëse vlerësohet se ka vepruar gabimisht kur ka debatuar me ambasadoren e Kosovës në New York, Vlora Çitakun pas përfundimit të seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku u debatuar për Kosovën.

“Reagova si çdo njeri i ndershëm ndaj gënjeshtrës”, ka thënë Daçiqi në televizionin serb “Pink”, duke iu referuar ofendimeve dhe sulmeve që ia bëri Çitakut.

Sipas tij, “çka po u intereson njerëzve se çfarë kush i tha dikujt pas seancës, a ka dëgjuar dikush se çfarë kush tha pas seancës”.

Daçiqi tha se vepron në mënyrë diplomatike me diplomatë, “por nëse dikush gënjen, nuk do t’ia kthej ndryshe”.

“Nëse dikush më godet me gur, unë s’do t’ia kthej me lule… mundem edhe me lule, por me saksi”, tha kryediplomati serb, transmeton Koha.net.

Duke folur për takimin në Paris, i cili pritet të mbahet në fillim të korrikut dhe ku pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues nga Kosova, ai tha se formalisht nuk është i ftuar dhe se në këtë moment nuk dihet nëse i njëjti do të zhvillohet.

Në përfundim të seancës për Kosovën në Kombet e Bashkuara të hënën, Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq i është afruar nga pas ambasadores së Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitakut, e cila bashkë me delegacionin që e shoqëronte, ishte duke biseduar me përfaqësuesit e Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Daçiqi iu drejtua Çitakut duke iu referuar një pjese të fjalimit të saj.

“Pavarësia e Kosovës nuk është produkt i një lëvizjeje secesioniste. Pavarësia e saj është produkt i dekolonizimit”, tha ambasadorja Çitaku në fjalën e saj në seancë.

“Për çfarë kolonizimi e ke fjalën? Kolonizatorët janë ata me të cilët je ulur”, i tha Daçiqi në serbisht.

Ambasadorja Çitaku ishte ulur me përfaqësuesit e Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara me të cilët ajo po bisedonte. Ambasadorja i tha Zërit të Amerikës se Daçiqi e ndërpreu bisedën me ofendime të zhurmshme dhe të përsëritura.

“Unë isha e ulur me shpinë dhe (Ministri i Jashtëm serb) Ivica Daçiq filloi të flasë pas meje me zë të lartë. Duke u munduar të më denigrojë mua personalisht si dhe Ambasadoren (Teuta) Sahatqija, e posaçërisht miqtë tanë ndërkombëtarë, zoti Daçiq sillej në selinë e Kombeve te Bashkuara sikur të ishte në kafene”, tha ajo.

Ambasadorja Çitaku tha se ajo vetë as nuk u kthye dhe as nuk reagoi.