Qytetarët kanë nisur të mobilizohen, ani pse deri më tani s’është konfirmuar ndonjë rast me koronavirus në Kosovë, njofton Llapi.info.
Qytetarë të shumtë kanë nisur t’i blejnë produktet kryesore ushqimore. Por, tani në këtë kohë markete të shumta i kanë ngritur tejmase çmimet e produkteve esenciale.
E për këtë ka reaguar edhe kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi. Ky i fundit ka paralajmëruar se nesër do të mbajë mbledhje urgjente me komisionin e AKK, pasi Qeveria e Kosovës propozoi që të formohet një komision ekzekutiv për monitorimin e keqpërdorimit të çmimeve të produkteve ushqimore.
“Pas shumë shqetësimeve që i kemi pranuar nga qytetarët dhe opinioni publik për rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore gjatë situatës së krijuar të COVID-19, dhe pas mbledhjes urgjente tē qeverisë së Kosovës që u mbajt sonte në ora 20:00, zv. Kryeministri HOTI propozoj një Komision Ekzekutiv në përbërje të Autoritetit të Konkurrencës dhe disa Ministra për ta monitoruar keqpërdorimin e çmimeve në situatën e tillë emergjente. Nga nesër do të thërras mbledhje urgjente të Komisionit të AKK-së dhe do të koordinohemi me qeverinë”, ka shkruar ai në Facebook.
Së fundmi ai ka publikuar edhe fotografi ku thotë se çmimet janë ngritur 200 për qind.
“Për deri sa ankesat e qytetarëve janë gjithëandej, e vërtetova edhe vetë se vetëm njëri prej produkteve ushqimore ka ngritje afërsisht 200% të çmimit”, ka shkruar ai./Llapi.info






