Irani ka vendosur kurthe dhe ka vendosur personel ushtarak e mbrojtje ajrore shtesë në Ishullin Kharg në javët e fundit si përgatitje për një operacion të mundshëm të forcave amerikane për ta marrë nën kontroll këtë territor, sipas disa personave të afërt me inteligjencën amerikane që ka raportuar rreth çështjes, thuhet në një artikull të televizionit CNN.
Administrata e presidentit Donald Trump ka qenë duke e shqyrtuar përdorimin e trupave amerikane për ta kapur ishullin e vogël në pjesën verilindore të Gjirit Persik – linjë ekonomike për Iranin ku trajtohet rreth 90 për qind e eksporteve iraniane të naftës së papërpunuar – si levë mbi iranianët për t’i detyruar që ta rihapin Ngushticën e Hormuzit.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë dhe ekspertët ushtarakë thonë se do të kishte rreziqe domethënëse të përfshira në një operacion të tillë tokësor, përfshirë një numër të madh të viktimave nga radhët e forcave amerikane. Ky ishull ka mbrojtje shtresore dhe iranianët në javët e fundit kanë vendosur atje sisteme shtesë të raketave me drejtim tokë – ajër që hidhen nga krahu, të njohura si MANPAD, thanë burimet.
Irani gjithashtu ka vendosur kurthe, përfshirë minat kundër personelit dhe kundër mjeteve të blinduara përreth ishullit, shtuan burimet, përfshirë zonën bregdetare, ku trupat amerikane do të mund të realizonin një mbërritje amfibe, nëse presidenti Trump vendos për operacion tokësor.
Disa aleatë të kreut të Shtëpisë së Bardhë po shtrojnë pyetje serioze për atë nëse ekziston nevoja që të provohet një operacion i tillë, pasi kapja me sukses e ishullit nuk do t’i zgjidhte në vete problemet e ndërlidhura me Ngushticën e Hormuzit dhe mbajtjen peng të tregut global të energjisë nga Irani, shtuan burimet.
Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment rreth veprimeve të Iranit për Ishullin Kharg.
Ushtria amerikane tashmë e kishte vënë në shënjestër me sulme ishullin më 13 mars. Komanda Qendrore ka thënë se janë goditur 90 caqe, përfshirë “objekte për ruajtjen e minave detare, bunkerë për ruajtjen e raketave dhe shumë qendra të tjera ushtarake”. Trumpi e kishte njoftuar këtë sulm duke thënë se forcat amerikane e kishin shmangur goditjen e infrastrukturës së naftës në ishull “për arsye të njerëzisë”.
Një burim izraelit tha se ka shqetësim që marrja e Ishullit Kharg nën kontroll do të çonte në sulme nga dronët dhe raketat e hedhura nga krahu nga Irani, duke shkaktuar vrasje të ushtarëve amerikanë. “Shpresa është që ata nuk do ta ndërmarrin këtë rrezik dhe, në vend të tij, do të shkrepin drejt fushave të naftës, por nuk ka ndonjë mënyrë për ta ditur” – tha burimi.
“Unë do të isha shumë i brengosur për këtë. Iranianët janë të zgjuar dhe të pamëshirshëm. Ata do të bëjnë gjithçka që munden për të shkaktuar sa më shumë viktima në mesin e forcave amerikane, edhe në anijet në det, dhe sidomos porsa të ndodhen trupat tokësore kudo në territorin e tyre sovran” – tha admirali në pension, James Stavridis, ish-komandant suprem i NATO-s, i cili tani shërben si analist ushtarak në televizionin CNN.






