Lokale - eSIMy

Shkruan; Arianit Koci

U ula.

Më erdhi gota e pastër dhe zotëria me një ibrik çaji me ujë të vluar.
“Përvëlohet gota – dhe nëse ka ndonjë shibel, pastrohet,” – tha kamarieri, qetë, si dikush që këtë ritual e ka bërë shumë herë.

S’ka nevojë me e porositë.
Dihet pse ke ardhë në Çajtore “Sporti”, në Podujevë.

Pasi ma mbushi gotën me ujë të përvluar, e silla disa herë – dhe e derdha.
Tash ajo ishte e dezinfektuar – sterile, si pajisjet e kirugut para intervenimit në sallë të operacionit.

Prej ibrikut tjetër – zbrazet çaji.

——

Sot është e diel. Herët në mëngjes, erdha në Podujevë. Me punë.

Nuk mujta pa u ndal në këtë lokal.

Kishte fytyra pozitive – të ashpra, asi që jeta nuk i ka ledhatu kurrë.
Ama me shumë mund e këmbëngulje kanë ecur përpara.
U kanë siguru fëmijëve shkollim, jetë më të lehtë – edhe një farë perspektive.

——-

Në këtë çajtore e sheh realitetin e një kosovari të zakonshëm: i heshtur, punëtor, i lodhur – por me dinjitet.

Ndryshe prej disa vendeve në Prishtinë – ku kohabitojnë disa biznesmenë primitivë dhe politikanë të paedukuar.

Të parët shesin mend pa i lexu dy libra në jetë – të varfër në dije, por plot arrogancë. Madje japin edhe ide se si duhet me u udhëheqë politika, ekonomia e shteti.
Të dytët – pa sens përgjegjësie, pa turp, e pa ndjenjë shteti, ja u bëjnë qejfin të parëve.

Interesi i shkretë!

Na kanë lodhë. Na kanë zhgënjy.
Dhe po na marrin në qafë çdo ditë.

——

Energjia pozitive, optimizmi dhe dashuria ndaj njerëzve – më bëjnë me u ndi sikur i njoh të gjithë në këtë vend. Po i përshëndes të gjithë rend. Po flasim për problemet e jetës. Natyrisht, edhe për politikë.

Po më njohin.
Pa u prezantu. Pa fjalë të tepërta.

Vetëm me sinqeritet.

Po e ndiej vetën të nderuar.

P.S.
Jam me Mentorin – djalë punëtor që e ka hap “Lounge Bar Higos” në Podujevë, me shumë mund e sakrificë.
E ka lënë Gjermaninë për këtë punë.
Por ia ka vlejt. Po i ecë mirë.